LAJMI I FUNDIT:

Hulumtimi i Ancor: Dy e treta punëtorëve rusë dëshirojnë të largohen nga vendi

Hulumtimi i Ancor: Dy e treta punëtorëve rusë dëshirojnë të largohen nga vendi

Dy e treta e punëtorëve në Rusi dëshirojnë që të largohen nga vendi, thuhet në hulumtimin më të fundit të Grupit Ndërkombëtar për Sondazhe “Ancor”.

Sipas anketës, 46 për qind e tyre largimin e lidhin drejtpërdrejt me pagën.


“65 për qind e rusëve që punojnë do të hiqnin dorë nga puna, në një të ardhme të afërt, me arsyetimin për t’u larguar nga vendi. Pothuajse gjysma e të anketuarve apo 46 për qind këtë do ta bënin për shkak të problemeve me pagën. Punëtorët thonë se kjo pagë është e pamjaftueshme”, thuhet në anketë.

Në hulumtim gjithashtu thuhet se, 40 për qind e rusëve kërkojnë dyfishim të pagës.

“Shumica apo 40 për qind e punëtorëve rusë duan të marrin një pagë të paktën dyfishin e asaj aktuale, pasuar me 32 për qind që kërkojnë një herë e gjysmë më të madhe dhe 18 për qind do të ishin të kënaqur me një rritje të pagës prej 20 për qind”, vlerëson Ancor.

Hulumtimi i medias ruse: Mbi 5 milionë qytetarë kanë ikur nga Rusia që kur udhëheq Vladimir Putin
Lexo po ashtu Hulumtimi i medias ruse: Mbi 5 milionë qytetarë kanë ikur nga Rusia që kur udhëheq Vladimir Putin

Po ashtu, hulumtimi i portalit Takei Dela me qendër në Moskë thekson se, mbi pesë milionë qytetarë janë larguar nga Rusia gjatë dy dekadave të sundimit të presidentit Vladimir Putin.

Në epokën post-sovjetike, fluksi më i madh i emigrimit u vu re në periudhën 2016-2019, kur rreth 300 mijë njerëz u larguan nga Rusia çdo vit. Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, të cituara në hulumtimin e Takie Dela, më shumë se 10 milionë rusë aktualisht jetojnë jashtë vendit, pak pas Indisë dhe Meksikës në numrin e emigrantëve.

Pavarësisht programeve për të mbështetur nënat dhe familjet që kanë ndërlikuar ndjeshëm udhëtimet dhe emigracionin, përqindja e rusëve që thonë se duan të largohen nga vendi është ngjitur në nivelin më të lartë në gati një dekadë.

Ndërsa, sondazhi i Qendrës së pavarur ruse për Hulumtimeve “Levada Center”, thotë se një në pesë rusë dëshirojnë të emigrojnë, me të rinjtë dy herë më shumë sesa rusët e moshuar.

Ky fakt është konfirmuar edhe nga Takie Dela, i cili zbuloi se 55 për qind e qytetarëve u larguan nga Rusia kur ishin midis moshës 20 dhe 40 vjeç. /Telegrafi/