Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim një delegacion kroat, të udhëhequr nga ndihmësministri i Jashtëm, Miroslav Papa.

Në takim, Hoxhaj ka falënderuar Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fazat e shtetndërtimit, para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Po ashtu, është diskutuar edhe për bashkëpunimin konkret në disa fusha, veçmas në atë ekonomike dhe tregtare.


ZvKM Hoxhaj 21 05 2019 4

“Kroacia është një prej vendeve mike më të mëdha të Kosovës në rajon. Mbështetja kroate ka qenë e vazhdueshme jo vetëm në aspektin bilateral, por edhe atë rajonal duke qenë edhe si vend anëtar i BE-së. Diskutuam sot për mundësitë e bashkëpunimit më të madh në fushën ekonomike dhe tregtare, meqë marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera. Muajt e fundit ka një dimension të ri në këto raporte dhe duam që Kroacia të ketë një përkushtim e rol edhe më të madh”, ka thënë zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Po ashtu, është diskutuar edhe për mbështetjen e Kroacisë në anëtarësimin e Kosovës në disa organizata rajonale dhe procesin e eurointegrimeve.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar nevojën që BE-ja duhet të marrë një vendim sa më parë për vizat dhe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën e gjelbër për t’i hapur negociatat. /Telegrafi/