LAJMI I FUNDIT:

Hoti siguron kryetarët e komunave se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për vitin 2021

Hoti siguron kryetarët e komunave se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për vitin 2021

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një komunikim me Asociacionin e Komunave të Kosovës është zotuar se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për Komunat e Kosovës në vitin 2021.

“Ky zotim nga kreu i Qeverisë vjen pas insistimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, reagimit të Këshillit të Kryetarëve dhe nga takimet me Hykmete Bajrami, Ministre e Financave dhe Goran Rakiç, Ministër i Pushtetit Lokal pasi që Ministria e Financave kishte paraparë shkurtime buxhetore për vitin 2021 në raport me vitin 2020 ne vlerë prej 32.95 milion euro për komuna”, thuhet në njoftimin për media.


Sipas AKK-së, Hoti ka siguruar Kryetarët e Komunave se:

1. Minusi i mjeteve financiare për vitin 2021 për komuna do të kompensohet përmes krijimit të një Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike për Komuna.
2. Për komunat e vogla do të ketë një grant fiks shtesë sikurse e kanë pasur më herët.
3. Buxheti total për komuna do të jetë i njëjtë në vitin 2021 ashtu siç është në vitin 2020.

Kryetarët e Komunave për shkak të shkurtimeve nga Ministria e Financave kishin vendosur që të mos e votojnë në Komisionin e Granteve rishikimin e buxheti në kuadër të rishikimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023 (KASH). /Telegrafi/