Hoti: Kosovës i duhet një president me integritet të lartë që nuk është nga LVV-ja

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Kosovës i duhet një president me integritet të lartë që nuk është nga Lëvizja Vetëvendosje.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se: “Kosova duhet të ketë president që nuk është nga LVV-ja, një person me integritet të lartë personal, akademik e shoqëror, që ka prioritet kushtetutshmërinë, që nuk e ka hallin se a propozohet sërish për president apo presidente”.
Tutje Hoti ka shkruar se vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve dhe evitohet koncentrimi i pushtetit tek një person i vetëm.
“E kemi parë se çfarë ka ndodhur në pesë vitet e fundit, kur një person ka kontrolluar gjithçka: Shumë ligje kundërkushtetuese janë nënshkruar nga Presidentja pa asnjë vërejtje, edhe pse dihej qartë se ishin në kundërshtim me Kushtetutës. Kushtetuta ia jep të drejtën Presidentit që ligjet e tilla t’ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim, por kjo e drejtë asnjëherë nuk është vënë në përdorim. Arsyet besoj janë të qarta. Ka ndodhur shkarkimi arbitrar i Kryesueses së KQZ-së nga Presidentja në fillim të mandatit. Kosova ka mbetur pa Kryeprokuror për vite të tëra. Arsyeja: tre krerët e shtetit nuk e donin një emër të përveçëm, megjithëse nuk kishin asnjë bazë ligjore për të kundërshtuar atë”, ka shkruar Hoti.
Siç ka shkruar ai: “AKI-ja ka kryer veprime, sipas raportimeve publike, për të cilat nuk është thirrur në përgjegjësi nga Presidenca. Këto veprime që kanë cenuar besueshmërinë në këtë institucion vital të shtetit. Mediat dhe bizneset janë sulmuar në vazhdimësi nga pushteti. Presidentja ka heshtur. Edhe data e zgjedhjeve është caktuar sipas kërkesës së një partie politike. Këtë e ka deklaruar vetë Presidentja në përpjekjen e saj për të fituar mbështetjen për mandatin e dytë. Ndryshe, duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka shkruar ndër të tjera Hoti. /Telegrafi/




















































