LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Kosova ka mbi 800 milionë euro borxh publik

Hoti: Kosova ka mbi 800 milionë euro borxh publik

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka konfirmuar aksionin e Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke thënë se po zhvillohet një aksion i madh në luftim të kontrabandës.

Hoti bëri të ditur se nga sot ka filluar kampanja e informimit për lansimin e produktit më të ri bono për diasporë.


Sipas ministrit, startimi i dhënies së bonove të thesarit është prej 20 milionë euro, ndërsa investimi do të jetë në fushën e bujqësisë për këtë vit.

Po ashtu, Hoti tha se aktualisht Kosova ka mbi 800 milionë euro borxh publik.

“Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi. Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ai gjithashtu theksoi se gjatë kampanjës informuese në ditët dhe javët në vijim, do të njoftoheni edhe me detajet tjera në lidhje me këtë produkt, përfshirë edhe normën e interesit si dhe procedurat për investim.

Në këtë Konferencë ministri Avdullah Hoti paraqiti para mediave edhe një kronologji të zhvillimit të hovshëm të këtij tregu që nga themelimi, ku bëri të ditur se ”Tregu i letrave me vlerë në Republikën e Kosovës filloi më 18 janar të vitit 2012, kur Ministria e Financave në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore por edhe me sektorin bankar, emetoi për herë të parë Bono Thesari në vlerë 10 milionë euro dhe me afat maturimi 3 muaj”.

“Mirëpo ky ishte vetëm fillimi, sepse në po të njëjtin vit, u lansua edhe Bono me afat 6 mujor, dhe viti 2012 përfundoi me gjithsej 74 milionë euro të emetuara. Në vitin 2013 (24 prill) portofoli i instrumenteve të ofruara u zgjerua edhe më tutje me lansimin e Bonos me afat 12 mujor dhe në po këtë vit u emetuan edhe 80 milionë euro Bono të reja. Në vitin 2014 (31 mars) u lansua edhe Obligacioni i parë qeveritar, me afat prej 2 vitesh dhe viti u përmbyll me emetimin e 102 milionë eurove. Ky vit gjithashtu është shënuar si vit ku për herë të parë kemi blerjen e Bonove edhe nga individë privatë, sepse deri në këtë vit blerësit ishin kryesisht institucione financiare ose pensionale. Viti 2015 ndërkaq do të mbetet si viti kur ky treg kishte zhvillimin më të hovshëm, ku vlen të theksohet se u emetuan gjithsej 120 milionë euro Bono të reja si dhe u lansuan me sukses Obligacionet me afat 3 vjeçar dhe 5 vjeçar. Gjithashtu u zgjerua edhe baza e investitorëve: në bashkëpunim me Bankën Qendrore u ndryshua korniza ligjore për të lejuar edhe kompanitë e sigurimeve të blenin letra me vlerë, kurse investimi nga personat privatë tejkaloi 10 milionë euro”, shtoi Ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 në qarkullim kemi një portofol të letrave me vlerë prej afro 400 milionë euro, kemi 6 instrumente me afat maturimi që fillon nga 3 muaj e shkon deri në 5 vite, kemi një treg sekondar që funksionon dhe me nivel të likuiditetit që rritet dita ditës, si dhe kemi plane që të zgjerojmë bazën e investitorëve edhe më tutje. /Telegrafi/