Aktorja dhe regjisorja Olivia Wilde ka folur së fundmi për punën e saj pas kamerave, duke rrëfyer një problem me të cilin, sipas saj, po përballet gjithnjë e më shpesh gjatë përzgjedhjes së aktoreve.

Në podcastin e Vogue, “The Run-Through”, Wilde tha se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjejë aktore që nuk kanë tepruar me ndërhyrjet estetike dhe që ruajnë ende lëvizshmërinë natyrale të fytyrës.


“Si regjisore, vazhdimisht kërkoj aktore që ende mund ta lëvizin fytyrën. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë”, u shpreh Wilde.

Megjithatë, ajo theksoi se nuk i gjykon koleget që zgjedhin të kryejnë trajtime estetike, pasi e kupton presionin e madh me të cilin përballen gratë në Hollywood.

“Nuk i fajësoj. Edhe unë jam pjesë e këtij sistemi, i nënshtrohem të njëjtave presione dhe i kuptoj. Thjesht shpresoj që teknologjia të përparojë dhe të kemi trajtime që nuk janë kaq agresive. E gjithë kjo duket paksa mesjetare. A nuk mund të shpikë askush diçka më të mirë se botoksi?”, tha ajo.

Deklaratat e Wilde u shpërndanë sërish këtë javë në rrjetin social X, duke nxitur diskutime rreth aktoreve që kanë zgjedhur të mos ndjekin trendin e botoksit dhe fillerëve.

Rachel McAdams

Një nga emrat që u përmend menjëherë ishte Rachel McAdams, 47 vjeçe, pamja e së cilës në filmin horror “Send Help” të Sam Raimit ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Edhe pse vetë aktorja nuk ka komentuar diskutimin, shumë fansa e kanë lavdëruar për pamjen e saj natyrale, duke thënë se është freskuese të shohësh një aktore në fytyrën e së cilës duken qartë vitet dhe mimika.

Amanda Seyfried

Në diskutim është përfshirë gjithashtu Amanda Seyfried, veçanërisht për shkak të shprehjeve të saj të fytyrës në dramën muzikore “The Testament of Ann Lee”.

Vitin e kaluar, në një intervistë për Vanity Fair, ajo zbuloi se gjatë xhirimeve nuk kishte mundur të përdorte botoks për një vit, gjë që e përshkroi si një “sfidë të madhe”.

“Kur e provova botoksin për herë të parë, mendova: ‘Kjo është fantastike’, sepse shpesh rrudhos ballin. Por më pas gjithçka u rikthye dhe kjo ishte absolutisht e nevojshme për punën që bëj”, tregoi ajo.

Carrie Coon

Për vendimin e saj për të mos përdorur botoks ka folur hapur edhe Carrie Coon. Aktorja preferon të investojë në kujdesin për lëkurën dhe t’i pranojë ndryshimet që vijnë me kalimin e viteve.

“Autenticiteti lë një përshtypje më të fortë se çdo gjë që mund të bëni me fytyrën apo trupin tuaj. Por kjo nuk është mesazhi që na përcjell kultura. Për mua, si 44-vjeçare, nuk është aspak e lehtë apo komode ta shoh veten në rezolucion të lartë”, tha ajo vitin e kaluar.

Coon ka treguar gjithashtu se për shkak të pamjes së saj shpesh i ofrohen role të grave më të mëdha në moshë sesa ajo është në të vërtetë.

Anne Hathaway

Anne Hathaway nuk ka treguar nëse përdor botoks, por së fundmi iu përgjigj spekulimeve se kishte kryer një lifting të fytyrës.

Thashethemet u shtuan pasi aktorja u shfaq në ceremoninë e “Oscar”-ëve 2026 me një model flokësh që i jepte fytyrës një pamje më të tendosur dhe më të freskët.

“Do të preferoja të mos komentoja asgjë dhe të ruaja pak privatësi, por spekulimet u bënë aq të mëdha sa ndjen nevojën të thuash të vërtetën. Jo, nuk kam kryer ndonjë ndërhyrje të madhe. Janë vetëm dy gërsheta”, tha ajo për Elle.

Carey Mulligan

Edhe Carey Mulligan ka folur prej vitesh për vendimin e saj për të mos përdorur botoks. Aktorja ka treguar se për herë të parë iu ofrua një trajtim i tillë kur ishte vetëm 23 vjeçe.

“Më shqetësonin rrudhat poshtë syve dhe shkova të kërkoja këshillë, duke shpresuar se do të më jepnin ndonjë krem. Por më thanë: ‘Mund të të injektojmë pak botoks’. Unë u përgjigja: ‘Por e gjithë puna ime është të lëviz fytyrën!’”, ka rrëfyer ajo.

Mulligan e ka ruajtur këtë qëndrim edhe ndër vite. Në vitin 2018, ajo tregoi me humor se vajza e saj kishte një mënyrë të veçantë për t’ia kujtuar rrudhat.

“Aktualisht, gjëja e preferuar e vajzës sime është të më rrudhë ballin dhe të bërtasë: ‘Mami, rrudha!’”, tregoi aktorja.

Pas publikimit të sezonit të dytë të serialit të Netflix, “Beef”, shikuesit komentuan sërish pamjen e saj. Disa përdorues në Reddit e vlerësuan faktin që aktorja nuk dukej “plotësisht e mbushur me botoks”, ndërsa të tjerë thanë se fytyra e saj dukej natyrale dhe e bukur.

Emilia Clarke

Në të njëjtën linjë është edhe Emilia Clarke, e cila nuk dëshiron ndërhyrje që mund t’i heqin ekspresivitetin e fytyrës, aq të rëndësishëm për profesionin e saj si aktore.

“Një herë, një estetiste më tha se kisha nevojë për filler dhe unë i tregova derën. Fjalë për fjalë i thashë të dilte jashtë”, ka treguar Clarke.

Ajo shpjegoi se aftësia për të shprehur emocionet përmes fytyrës është për të më e rëndësishme sesa fshehja e shenjave të plakjes.

“Punoj në një industri ku duhet ta lëviz fytyrën dhe të jem ekspresive, ndërsa fillerët nuk mund të ndriçohen siç duhet. Thjesht nuk funksionon. Nuk duket natyrale; dukeni të shndritshme dhe të çuditshme”, tha ajo.

“Po qe se puna ime fillon të kërkojë diçka më shumë se ndoshta pak botoks kur të jem 45 vjeçe, atëherë do të ndaloj së punuari”, përfundoi Clarke. /Telegrafi/