Holanda dhe Japonia ndajnë pikët në dramën e katër golave


Kombëtarja e Holandës është ndalur në një barazim me Japoninë, në sfidën e parë të Kupës së Botës 2026.
Përballja ishte mjaftë dramatike nga fillimi, ku pas katër golave të bukur, epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 2-2.
Holanda e nisi shumë më mirë për të rrezikuar dy herë përmes Danyell Malen, por që portieri i Japonisë me super pritje ia mohoi dy herë golin.
Ishte kapiteni i Holandës Virgil van Dijk që shënoi me kokë pas harkimit të Ryan Gravenberch për të zhbllokuar rezultatin (51’).
Megjithatë, vetëm gjashtë minuta më vonë – Japonia e barazoi rezultatin falë Keito Nakamura, që shënoi nga distanca, ku topi u devijua dhe përfundoi brenda rrjetës (57’).

Sidoqoftë, Holanda e riktheu epërsinë falë Crysencio Summerville që shënoi një supergol nga distanca (64’).
Japonia që atëherë mori posedimin për të krijuar raste të njëpasnjëshme dhe golit iu gëzuan krejt në fund, falë Daichi Kamada që shënoi me kokë (89’).
Kësisoj, Holanda dhe Japonia marrin nga një pikë në grupin F, aty ku ndodhen edhe Suedia e Tunizia që do të përballen nga ora 4 të mëngjesit./Telegrafi/






































