Historia epike e tifozëve anglezë: Shkuan për Kupën e Botës 1986, festuan pa fund dhe nuk u kthyen më kurrë në shtëpi


Nga një udhëtim për të ndjekur Anglinë në Kupën e Botës, përfunduan duke ndërtuar një jetë të re në Amerikën e Veriut. Kjo është historia e jashtëzakonshme e katër tifozëve që ndryshuan përgjithmonë fatin e tyre.
Çfarë do të bënit nëse do të humbnit vendin e punës? Shumica do të kërkonin një punë të re, por katër të rinj anglezë zgjodhën një rrugë krejt tjetër.
Në verën e vitit 1986, ata lanë pas shqetësimet, morën kursimet e fundit dhe u nisën drejt Meksikës për të ndjekur Anglinë në Kupën e Botës. Ishte hera e parë që dilnin jashtë Britanisë së Madhe dhe nuk e kishin idenë se ai udhëtim do t'ua ndryshonte jetën përgjithmonë.

Nga papunësia drejt ëndrrës amerikane
Vitet '80 nuk ishin të lehta për klasën punëtore angleze. Reformat ekonomike të qeverisë së Margaret Thatcher sollën zhvillim në Londër dhe sektorin financiar, por shumë qytete industriale mbetën në krizë.
Në rajonin e njohur si "Black Country", ku ndodheshin Wolverhampton, Dudley dhe Stourbridge, fabrikat po mbylleshin njëra pas tjetrës. Papunësia në disa zona arrinte deri në 20 për qind, ndërsa të rinjtë nuk shihnin asnjë perspektivë për të ardhmen.
Mes tyre ishin edhe Stuart "Batesy" Bates, Garry Allen, David Arnold dhe Garry Hardwick.
"Ishte një periudhë shumë e vështirë në Stourbridge. Punoja në ndërtim dhe shumë shokë humbën vendet e punës. Shikonim videot muzikore të Duran Duran në Rio apo David Bowie në Australi dhe mendonim vetëm një gjë: duam të udhëtojmë", kujton Bates.
Ai ia propozoi mikut të tij Garry Allen që të shkonin në Kupën e Botës në Meksikë. Ideja u përhap shpejt dhe së bashku me tifozë të tjerë të Wolverhampton Wanderers formuan një grup prej rreth 12 vetash.
Të gjithë ishin mes 20 dhe 23 vjeç dhe mblodhën çdo qindarkë që kishin. Allen investoi 500 euro, të gjitha kursimet e tij, pak kohë pasi kishte mbetur pa punë.
Udhëtimi që u kthye në aventurën e jetës

Për të kursyer para, grupi fluturoi fillimisht drejt Shteteve të Bashkuara, më pas udhëtoi me autobus deri në kufirin me Meksikën dhe përfundoi në Monterrey, ku Anglia zhvillonte ndeshjet e fazës së grupeve.
Për djemtë që vinin nga Midlandsi me shi, temperaturat e Meksikës ishin të padurueshme, por shumë shpejt ato u harruan përballë atmosferës së jashtëzakonshme që gjetën.
Ata jetonin me pak para, udhëtonin lirë, gjenin bileta të lira për ndeshjet dhe njiheshin çdo ditë me njerëz të rinj.
Fillimisht vendasit ishin skeptikë, pasi fama e huliganëve anglezë kishte mbërritur edhe në Meksikë. Por shumë shpejt e kuptuan se ky grup nuk kishte ardhur për dhunë, por për të shijuar futbollin dhe jetën.
U shtirën si Lineker dhe Shilton për të impresionuar vajzat

Një nga episodet më gazmore të udhëtimit lidhej me njohjet me vajzat meksikane.
Duke qenë se nuk mendonin se do të bënin shumë përshtypje si të papunë nga Anglia, ata vendosën të prezantoheshin si futbollistët e kombëtares angleze.
Kështu, Garry Allen prezantohej si Gary Lineker, ndërsa Stuart Bates si portieri legjendar Peter Shilton dhe për çudi plani funksiononte.
Edhe pse Shilton ishte 36 vjeç në atë kohë, askush nuk dukej se habitej që "portieri" dukej si një djalosh 20-vjeçar.
Madje, natën kur Lineker realizoi tregolëshin ndaj Polonisë dhe siguroi kualifikimin e Anglisë në fazën me eliminim direkt, njëri prej tifozëve anglezë po përdorte emrin e sulmuesit për të flirtuar në një lokal të Monterreyt.
Maradona, "Dora e Zotit" dhe kaosi me tifozët argjentinas
Pas fitores ndaj Paraguait në 1/8 e finales, Anglia u përball me Argjentinën në një nga ndeshjet më të famshme në historinë e futbollit.

Tifozët anglezë patën privilegjin ta shihnin nga afër golin e famshëm të Diego Maradonës, të konsideruar si "Goli i Shekullit".
Megjithatë, ata mbetën të zemëruar nga goli tjetër, ai i realizuar me dorë.
"Edhe nga tribuna dukej qartë se Maradona kishte prekur topin me dorë. Të gjithë e panë, përveç gjyqtarit", kujton Allen.
Në stadium ndodheshin rreth 115 mijë tifozë dhe sipas tij, afro 95 për qind ishin argjentinas. Pas përfundimit të ndeshjes shpërtheu kaosi.
Tifozët anglezë u sulmuan me shkopinj dhe flamuj. David Arnold u godit në këmbë me një shtizë flamuri, ndërsa një tjetër mik i tyre, i njohur me nofkën "Rabbit", u rrëzua nga një urë gjatë ndjekjes dhe pësoi fraktura në kafkë, duar dhe këmbë. Ai qëndroi për disa javë në spital, ku sipas miqve të tij u trajtua në mënyrë të shkëlqyer.
Vendimi që ua ndryshoi jetën

Megjithëse Anglia u eliminua në çerekfinale, aventura e tyre nuk kishte përfunduar. Përkundrazi, ishte vetëm fillimi.
Nga 12 tifozët që kishin udhëtuar në Meksikë, katër vendosën të mos ktheheshin më në Britani.
"Ky udhëtim na bëri të kuptonim se ekzistonte një botë shumë më e madhe sesa Stourbridge apo Lye. E dua Anglinë dhe vendlindjen time, por ajo aventurë e vogël u shndërrua në një jetë krejtësisht të re", thotë Bates.
David Arnold mbeti në Monterrey, ku u dashurua me një ish-"Miss Mexico", u martua me të dhe sot është drejtor i një shkolle, ndërsa është baba i katër vajzave.
Stuart Bates u vendos në Houston të Teksasit. Fillimisht punoi në sektorin e pasurive të paluajtshme, më pas në industrinë automobilistike dhe krijoi familjen e tij me katër fëmijë.
Garry Allen, njeriu që kishte propozuar udhëtimin, ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme.
Ai themeloi kompaninë e tij për prodhimin e pajisjeve të kanalizimeve dhe drenazhimit, e cila arriti një xhiro vjetore prej rreth 20 milionë dollarësh. Sot ai jeton mes Atlantës dhe Italisë dhe është pensionuar.
Ndërkohë, Garry Hardwick ndoqi pasionin për artin dhe u bë piktor. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë dy vite më parë.
Një ribashkim pas katër dekadash

Me rikthimin e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut, miqtë e mbetur njoftuan se do të takoheshin sërish për të ndjekur Anglinë, plot 40 vite pas aventurës që ua ndryshoi jetën.
Ndoshta në tribunat ku festoheshin golat e Jude Bellingham dhe Harry Kane ndodheshin po ata tifozë që në vitin 1986 brohorisnin për Gary Linekerin, ndërsa përdornin emrin e tij për të fituar zemrat e vajzave meksikane.
Një udhëtim futbolli, i nisur si arratisje nga papunësia dhe monotonia, përfundoi duke u kthyer në historinë më të pabesueshme të jetës së tyre. /Telegrafi/














































