Histori inspirimi në Kampionatin Botëror: Raul Jimenez mbijetoi, pastaj lulëzoi, sot ia dha vulën me Meksikën


Goli i Raul Jimenez kundër Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 ishte shumë më tepër sesa thjesht një gol. Ishte kulmi i një historie të jashtëzakonshme mbijetese, sakrifice dhe rikthimi.
Në fitoren 2-0 të Meksikës, sulmuesi 35-vjeçar vulosi suksesin e skuadrës së tij me golin e dytë të mbrëmjes, duke u bërë një nga protagonistët e startit të Kampionatit Botëror.
Por vetëm pak vite më parë, askush nuk ishte i sigurt nëse ai do të luante sërish futboll.

Nga lufta për jetën te rikthimi në fushë
Në nëntor të vitit 2020, gjatë një ndeshjeje të Ligës Premier mes Wolverhamptonit dhe Arsenalit, Jimenez pësoi një nga dëmtimet më të rënda që ka parë futbolli modern.
Një përplasje e fortë me David Luiz i shkaktoi frakturë të kafkës dhe gjakderdhje në tru. Sulmuesi meksikan humbi ndjenjat në fushë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni jetik.
Mjekët më vonë i treguan se kishte qenë shumë pranë tragjedisë. “Më thanë se ishte një mrekulli që isha ende këtu”, kujtonte ai vite më vonë.
Shumë specialistë dyshonin se karriera e tij kishte marrë fund. Por Jimenez nuk u dorëzua. Pas nëntë muajsh rehabilitim të gjatë dhe të vështirë, ai u rikthye në fushën e lojës, duke sfiduar çdo parashikim.

Shiriti në kokë, simbol i një fitoreje më të madhe
Që nga rikthimi, Jimenez luan me një shirit të posaçëm mbrojtës në kokë, i cili mbron zonën e dëmtuar. Për shumë tifozë ai është bërë pjesë e identitetit të tij, por për sulmuesin është një kujtesë e përditshme e betejës që fitoi jashtë fushës.
Sot, në moshën 35-vjeçare, ai jo vetëm që vazhdon të luajë në nivel të lartë, por po shkruan edhe kapituj të rinj në historinë e futbollit meksikan.
Goli ndaj Afrikës së Jugut ishte i pari i tij në një Kupë Bote dhe një moment që simbolizon më së miri rrugëtimin e tij.

Raul Jimenez fillimisht mbijetoi. Më pas u rikthye. Dhe tani, në skenën më të madhe të futbollit, ai ka vendosur vulën e historisë së tij të jashtëzakonshme. /Telegrafi/



































