Higuain e ‘vret’ Interin (Video)


Napolitanët e filluan më mirë takimin me Higuan që iu afrua golit në minutën e 9-të, mirëpo goditja e tij me kokë përfundoi mbi portë.
Prezenca e zikaltërve në fushë u ndje kur përforcimi i ri, Marcelo Brozovic, goditi shtyllën me një goditje të furishme nga 25 metra distancë.
Vendasit e diktuan tempon e lojës edhe në vazhdim, teksa Marek Hamsik pati një mundësi të artë ballë për ballë me portierin Carrizo, i cili u tregua i vëmendshëm dhe ia bllokoi gjuajtjen. Pjesa e parë përfundoi pa gola.
Interi u fut furishëm në pjesën e dytë, me talentin e ri Puscas që për pak sa nuk e befasoi Andujarin nga afërsia.
Sidoqoftë, skuadra e Roberto Mancinit e lëshoi tempon e lojës dhe u vu në presion të vazhdueshëm nga Napoli, të cilët shtuan sulmet në minutat e fundit të takimit.
Atëherë kur pritej që ndeshja të shkonte në vazhdime, në skenë doli Gonzalo Higuain(93’), i cili përfitoi nga një gabim amatoresk i Andrea Ranocchias dhe e fotografoi Carrizon me një gol spektakolar.
Me këtë fitore, Napoli siguron kualifikimin në gjysmë-finale ku do të takohen me Lazion. /Telegrafi/






































