LAJMI I FUNDIT:

“Hëngra doner dhe u helmova”, rrëfimi i qytetares së helmuar në Malishevë

“Hëngra doner dhe u helmova”, rrëfimi i qytetares së helmuar në Malishevë

Rasti i djeshëm i helmimit të 63 personave nga një lokal ushqimi në Malishevë, deri më sot ka arritur me mbi 100 të helmuar, derisa një nga të helmuarat me ushqim, e cila tashmë është e shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë tregon se nga ushqimi që ka marrë në lokalin në Malishevë i janë paraqitur simptomat me vjellje menjëherë, asaj dhe personave të cilat kanë ngrënë bashkë. Përderisa në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se kanë asgjësuar 64 kilogramë mish në lokalin ku u helmuan qytetarët.

Pacientja, e cila nuk deshi të identifikohej, ka thënë për KosovaPress se lokali në fjalë ka pasur mungesë të pastërtisë adekuate për ushqim, derisa shton se gjendja e saj shëndetësore sot është më stabile.


“Të mërkurën e kam ngrënë një doner në ora 19:00. Simptomat janë bërë në ora 23:00 të natës. Prej të mërkurës jam kështu, mbrëmë kam qenë më keq, ethe, temperaturë, vjellje, bark qitje… kështu. Vetëm aty jemi helmuar pronari im, një punëtor dhe një punëtore që kemi ngrënë, të tretë dhe jemi helmuar. Nuk e di, vetëm doner, se çka ka pasur nuk e di. Si e kemi ngrënë atë jemi helmuar, kemi vjellë, tri orë, nuk ka zgjatë më shumë. As bukë, as asgjë nuk kam ngrënë vetëm ujë. Lokal që është midis rruge krejt pluhur bagerat. Ai nuk është lokal. Krejt pluhur në gojë e futim, nuk e di dje jam kanë më keq sot pak më mirë”, tha pacientja.

Drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj konfirmoi se deri më tash janë hospitalizuar 12 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi, të cilin e kanë marrë në lokalin në Malishevë. Ai tha se ekipi mjekësor ka intervenuar me masa të shpejta dhe gjendja e tyre tashmë është jashtë rrezikut.

12 prej të helmuarve në Malishevë po marrin trajtim në QKUK, mosha e pacientëve nga 8 deri në 43 vjeç
Lexo po ashtu 12 prej të helmuarve në Malishevë po marrin trajtim në QKUK, mosha e pacientëve nga 8 deri në 43 vjeç

“Për momentin në Klinikën Infektive gjithsej të hospitalizuar i kemi gjithsej 12 pacientë. Mosha e tyre është 8-vjeç deri në moshën 43-vjeçare. Mosha mesatare është 21-vjeçare. Dje kanë ardhur një gjithsej 11 pacientë, të cilat kanë manifestuar sëmundje në formë të vjelljes, heqjeve të barkut, dhembjeve të barkut, dhe në aspektin e anamnezës 6 deri në 72 orë më parë kanë konsumuar ushqim në një lokal dhe kanë ardhur në manifestime të tilla, të cilët kanë pasur indikacion që të hospitalizohen në Klinikën Infektive. Pasojë e dehidrimit dhe ndryshimeve të vlerave të lehta është e mundur që ndonjëri të ketë manifestime të tilla, por në përgjithësi gjendja është stabile. Janë jashtë rrezikut për jetë dhe po bëjmë çmos që sa më parë të rikuperohen dhe të lëshohen. Në bazë të dhënave klinike bëhet fjalë për një salmanellozë, por rezultatet përfundimtare vijnë nga Instituti Kombëtar dhe me kohë do të informojmë”, tha Vishaj.

Ai u shpreh se Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme për pacientë me raste të tilla, por shpreson që nuk do të përsëritet një gjendje e tillë.
“Janë simptoma që nënkupton dehidrim dhe ne jemi duke koordinuar terapi dehidruese. Gjendja e përgjithshme është stabile. Janë duke marrë trajtime me kohë dhe shpresojmë në një rikuperim të gjendjes së shpejt të tyre. Klinika Infektive ka kapacitet 125 shtretër, por nuk mendojmë që do të ndodhë një situatë e tillë që të kemi numër më të madh. Deri më tash kemi 12 pacientë të hospitalizuar”, tha Vishaj.

Ndërsa, zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi tha se i janë përgjigjur rastit menjëherë dhe bashkë me policinë kanë filluar inspektimin te lokali ku janë shërbyer klientët në të cilin kanë hasur higjienë jo të duhur dhe mos dezinfektim, si dhe produkte pa origjinë.

“Bashkë me policinë kemi filluar inspektimin dhe kontrollin te lokali i dyshuar ku janë shërbyer, me dyshime. Aty është zhvilluar një inspektim i detajuar përpos kontrolleve teknike sanitare, higjienike të gjitha, hapësirës dhe mjeteve të punës ka vazhduar ende marrja e mostrave të produkteve ushqimore, të cilat kanë qenë prezent aty. Pas mbledhjes së dëshmive që është arritur të sigurohet deri në orën e mesnatës lokali ka qëndruar i mbyllur, i bllombuar dhe inspektimi ka vazhduar edhe sot. 06:25 E para thash se gjendja përgjithshme teknike sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur dezinfektim, deratizimin dhe dezinsektimin që përsëri është kriter që kërkohet që të kryhet. Po ashtu, aty janë gjetur edhe disa produktet që ne i quajmë “pa origjinë”. Ato nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës. Ka pasur produktet që janë gatuar brenda saj kuzhine dhe këtu të gjitha janë fakte do të evidentojmë”, tha Thaçi.

Shkon në 110 numri i personave që dyshohet se u helmuan në Malishevë
Lexo po ashtu Shkon në 110 numri i personave që dyshohet se u helmuan në Malishevë

Sipas tij, janë marrë pesë mostra të produkteve ushqimore, dy mostra nga sosat, një mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar, qoftë të papërpunuar dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

“Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative dhe janë nisur për laboratorin e IKSHP-së në Prishtinë, ku edhe janë testuar në disa parametra. Ndërsa, pas përfundimit të mostrimit, produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar. Sasia totale, 64 kg, kryesisht mish produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, tha ai.

Përndryshe, siç raportojnë nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, janë mbi 100 persona që janë helmuar në këtë lokale, e të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas Policisë, lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /kp/Telegrafi/