LAJMI I FUNDIT:

Haye ka respekt për Gjergjajn

Haye ka respekt për Gjergjajn

Ish-kampioni i botës, britaniku David Haye, thotë se nuk do ta nënçmojë të shtunën mbrëma boksierin kosovar Arnold Gjergjaj.

Haye do të përballet me Gjergjajn në Londër në një duel në dhjetë raunde në kategorinë e rëndë. Fituesi i kësaj përballjeje do t’i afrohej një lufte për titull bote në njërin prej versioneve më të mëdha të boksit profesionist. Haye ka qenë kampion bote në kategorinë kruzer dhe atë të rëndë. Ai vlerësohet ndër boksierët më të mirë në botë në peshën e rëndë.

Britaniku ka respekt pasi Gjergjaj nuk ka pësuar humbje në 29 meçet e deritashme në boksin profesionist, prej të cilave i ka fituar 21 me ndërprerje.


“Ky njeri vjen i pamposhtur dhe janë dukshëm më vështirë të mposhten boksierët që nuk kanë pësuar humbje, pasi ata nuk e dinë se si është të humbasësh. Ai e ka pranuar menjëherë përballjen. Ka dashur të vijë dhe po flet fjalë të mëdha”, ka thënë Haye, përcjell “Sky Sports”.

Për Hayen 35-vjeçar do të jetë përballja e 30-të në boksin profesionist. Ai ka 27 fitore dhe dy humbje. Haye në janar ishte kthyer pas tri vitesh e gjysmë pauzë, duke mposhtur me nokaut në raund të parë australianin Mark de Mori, transmeton Koha Ditore.

“Unë duhet të jem në formën time më të mirë. Nuk mund t’i lejoj vetes të paraqitem dhe të mendoj se pasi kam garuar në nivel më të lartë do të mjaftoj. Unë kam pasur vetëm dy minuta përvojë në ring në katër vitet e fundit, që nuk është ideale, por jam i gatshëm të bëj atë që duhet të bëhet. Unë dua të kem një përballje në dhjetë raunde dhe dua të testoj veten vërtet. Unë po shikoj para të bëj një spektakël të madh”, ka thënë Haye. /Telegrafi/