Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në fshatërat Poklek, Çikatovë të Vjetër dhe Krajkovë të Drenasit, në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë gjatë luftës në Kosovë.

Ajo theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e vënies së drejtësisë për krimet e kryera nga Serbia.


“Ne sapo nderuam një figurë të çmuar të kombit tonë, Sokol Elshani. Dëshmori Sokol Elshani rrjedh nga një familje patriotike e atdhetare që kanë kontribuar gjithmonë në çështjen kombëtare dhe për Republikën e Kosovës. Angazhimin e tij e kishte nisur shumë herët; madje, në demonstratat e vitit ’90, ai u sulmua dhe u plagos rëndë nga forcat serbe. Sot nderojmë jetën dhe veprën e tij. Po ashtu, ishim në Çikatovë dhe Poklek për të nderuar martirët, të cilët u masakruan dhe u dogjën. Në Çikatovë të Vjetër, pasi u vranë, ata u dërguan në Rashkë të Serbisë. Masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë, ku 53 civilë u vranë, prej tyre 23 ishin fëmijë. Ndërsa në Çikatovë të Vjetër, 24 civilë të paarmatosur u vranë dhe trupat e tyre u dërguan në Serbi me qëllim që të fshihej krimi gjenocidal”, tha Haxhiu.

Ajo vlerësoi se brezat e rinj janë me fat që kanë shembuj të tillë të sakrificës për atdheun, duke theksuar se kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve duhet të shërbejë si frymëzim për përkushtim ndaj vendit.

Haxhiu po ashtu nënvizoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve të drejtësisë në trajtimin e krimeve të luftës. Sipas saj, ndonëse kanë kaluar 27 vjet dhe procesi mbetet sfidues, institucionet janë të angazhuara për të adresuar përgjegjësit. Ajo përmendi rritjen e kapaciteteve në polici dhe prokurori, si dhe themelimin e institutit për krimet e luftës, duke theksuar se këto krime nuk falen dhe se drejtësia është e domosdoshme.

Në fund, ajo theksoi se kërkesa më e dhimbshme që dëgjohet në përvjetorë dhe përkujtime është ajo e familjarëve për drejtësi, duke shtuar se institucionet do të angazhohen maksimalisht për ta përmbushur këtë kërkesë. /kp/