Haxhi Krasniqi: Në fundvit përsëri për titull të botës

Edhe pse humbi në meçin për titull të botës, Haxhiu tregoi se ka mësuar nga ajo ndeshje dhe do ta sprovoj vetën përsëri deri sa t’ia arrin qëllimit që të shpallet kampionë bote.
“Unë kam marrë përgjegjësi që të bokësoj në emër të gjithë shqiptarëve, pra e kam përfaqësuar kombin tim. Kam humbur pasi u lëndova por nuk dorëzohem këtu, pasi do ta sprovoj vetën përsëri për titull të botës. Në fund të vitit është mundësia që të kem një revansh me Bramerin pasi që të dy kemi kontratë me televizionin SAT 1, dhe ata janë ndarë të kënaqur”, tha Krasniqi, duke shtuar se ndihet krenar nga përkrahja e shqiptarëve.
“Tifozët shqiptarë gjithmonë më kanë përkrahur dhe po vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pasi kam humbur. Jam krenar që i përkas atyre dhe për këtë arsyejen kam ardhur në Kosovë që të takohem me të gjithë”.
“Një ditë kam menduar që ta zhvilloj edhe një meç në Kosovë, në vendlindjen time, pasi mundem ta marrë me mend se do të jetë salla e mbushur ose stadium. Në të ardhmen natyrisht që do të realizohet kjo dëshirë e imja që të boksoj në vendlindjen time”, vazhdoi Krasniqi, transmeton Telegrafi.
Në pyetjen e Telegrafit, se a do të hapet një klub i boksit në Junik, Krasniqi tha: “E kemi menduar këtë gjë së bashku me kushëririn tim, i cili më ka përkrahur nga fillimi i karrierës. Juniku dhe gjithë Kosova ka talente në boks dhe kjo është arsyeja që do ta hapim këtë klub të boksit. Klubi natyrisht që do të thirret ‘Team Krasniqi’”, deklaroi Haxhi Krasniqi.
Ai ndër tjera morri edhe mirënjohje nga Kolegji ‘Pjetër Budi’, ku edhe i falënderoi për ftesën që i bënë. /Telegrafi/





















































