Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin e ekonomisë Albert Spahiu, ka thënë se janë shtyrë 735 milionë euro dhe janë riprogramuar 367 milionë euro të pagesës së këstit të kredive.

Havolli thotë se, përkundër pandemisë COVID-19 ka pasur rritje të dhënies së kredive.

“Politika e parë, ajo e marsit 2020, është shtyrë rreth 23 për qind e portofolit kreditor në Kosovë, që i bie rreth 735 milionë euro, e kanë shtyrë për tre muaj pagesën e këstit të kredisë. Për sa i përket vlerës, apo përqindjes në kontekstin e riprogramimit, ajo është shfrytëzuar rreth 11 për qind e portofolit kreditor apo 367 milionë euro”, thotë Havolli.

Ai tregon se vlera e kreditimit gjatë vitit të kaluar ka qenë mbi 200 milionë euro më shumë.

Po ashtu, sipas Havollit, ka pasur rritje të depozitave prej 11 për qind.

“Fillimisht në kohën e mbylljes totale ka pasur një rënie për ata muaj, pastaj kur kanë filluar të lehtësohen masat në qershor e tutje ka pasur rikthim të aktivitetit kreditor, sepse prej sektorit bankar është vlerësuar si rikthim i aktivitetit, madje muaji korrik i vitit të kaluar e tejkaluar korrikun e vitit 2019 në kontekst të kredisë. Nëse e shohim si vlerë totale e kredive që ekzistojnë sot në treg, i kemi 3.2 miliardë euro që është mbi 200 milionë euro kreditimi në i lartë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak apo një rritje prej 7.1 për qind. Përkundër gjendje së pandemisë kemi pasur një rritje të depozitave mbi 11 për qind për gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin paraprak”, tregon ai.

Gjatë vitit të kaluar, sipas Havollit ka pasur një volum të lartë të ankesave prej shfrytëzuesve të produkteve financiare, ku sipas tij 29 për qind e ankesave janë përmbyllur në favor të klientëve.

“Gjatë viti të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës e ka pasur një volum të lartë të ankesave prej shfrytëzuesve të produkteve në sektorin financiar dhe për atë BQK vite më parë, ka themeluar divizionin që merret me trajtimin e ankesave të klientëve. Për vitin e kaluar, për të gjitha produktet e sistemit financiar në BQK janë deponuar 1,846 ankesa, ku prej tyre 1,048 kanë qenë për produktet e sistemit bankar, 376 për institucionet financiare jo-bankare e ato mikrofinanciare dhe 409 kanë qenë për kompanitë e sigurimeve. 29 për qind e ankesave për sektorin bankar janë përmbyllur në favor të klientëve, ndërsa pjesa tjetër sipas vlerësimit të BQK-së kanë qenë në favor të institucionit”, tha Havolli.

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli gjatë intervistës për Telegrafi.com

Për sa i përket ndikimit të pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovë, sipas zëvendësguvernatorit të BQK-së rënia ekonomike gjatë vitit 2020 ka qenë 5.2 për qind.

Ai shton se, në krahasim me vitin e kaluar, aktiviteti ekonomik për vitin 2021 do të duhej të jetë më pozitiv.

“Në vlerësimit të trajektores të ekonomisë gjatë fazave të hershme, Banka Qendrore ka dal me vlerësimin se do të ketë rënie rreth 3 për qind. Pastaj, në muajin shtator të 2020-së e kemi bërë një rivlerësim dhe është vërejtur se për shkak të ndikimit të pandemisë në ekonomi, rënia mund të jetë edhe më e thellë dhe kemi dal me një rivlerësim se rënia do të jetë 7.2 për qind. Tani, të dhënat të Agjencisë së Statistikave të Kosovës sugjerojnë se rënia mund të jetë pak më e vogël se 7.2 për qind, ku aktualisht e kemi pozicionin që rënia ekonomike mund të jetë 5.2 për qind për vitin 2020. Për të dhënë parashikimet për vitin 2021, pritjet e Bankë Qendrore në krahasim me vitin e kaluar janë se, aktiviteti ekonomik do të duhej të jetë më pozitiv, sepse nuk kemi arsye të mendojmë se do të vazhdoj recesioni edhe për këtë vit”, shton ai.

Sipas Havollit, BQK në ditët e para të pandemisë ka marr disa masa, ku njërsa prej tyre ishte shtyrja e këstit të kredive nga ana e individëve dhe bizneseve në bankat komerciale.

“Banka Qendrore e Kosovës e ka pasur një qasje proaktive në kontekst të lehtësimit të barrës financiare të qytetarëve sepse që në ditët e para të pandemisë ka ndërmarr masat e saj. E para ishte për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive me qëllim të lehtësimit të barrës financiare në një kohë kur masat ndaj luftimit të pandemisë ishte mjaftë e fuqishme në kontekstin e mbylljes së plotë të aktivitetit ekonomik në vend. Po ashtu, duke pasur parasysh obligimet që ligji i jep Bankë Qendrore të Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Në këtë kontekst kemi pasur parasysh ruajtjen edhe të stabilitetit të sektorit bankar në veçanti”, shpjegon ai.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për remitencat dhe ndihmën e Bankës Qendrore për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë COVID-19. /Telegrafi/