Trajneri Pep Guardiola ka folur me emocione pas ndeshjes së fundit në krye të Manchester Cityt, pas humbjes 2-1 ndaj Aston Villas në “Etihad”, duke reflektuar për dhjetë vitet e tij te klubi dhe kujtimet e krijuara gjatë kësaj periudhe.

Kjo ndeshje ishte edhe e 593-ta për Guardiolën në stolin e Cityt, çka e bën atë trajnerin me mandat më të gjatë në historinë e klubit.


Duke folur për Sky Sports pas përfundimit të takimit, spanjolli u shpreh: Koha jonë ishte e mirë. Faleminderit të gjithë njerëzve, tribuna e re është e bukur.

Guardiola foli edhe për emocionet rreth kësaj dite, veçanërisht për reagimin e mesfushorit Bernardo Silva, i cili pritet të largohet.

“Bernardo ishte emocional sot, para ndeshjes. Nëse do të qash, atëherë qaj; nëse do të qeshësh, qesh. Emocionet – duhet t’i shprehësh. Unë nuk qaj, por kur shoh dikë tjetër duke qarë, atëherë qaj”.

Tekniku katalanas insistoi se, pavarësisht trofeve të shumtë të fituar, kujtimet dhe marrëdhëniet e ndërtuara janë më të vlefshme se gjithçka tjetër.

“Kjo kapitull do të jetë gjithmonë aty. Shumë kujtime – harroni titujt, janë kujtimet. Të gjithë ne. Të gjithë njerëzit këtu janë të jashtëzakonshëm”.

“Jeta përbëhet nga periudha, ne e jetuam një periudhë të jashtëzakonshme. Po të kisha energji do të qëndroja këtu. Një person i ri duhet ta bëjë këtë punë”.

Në fund, Guardiola kishte edhe një këshillë për trajnerin e ardhshëm të Manchester Cityt, duke vënë në pah rëndësinë e autenticitetit dhe lidhjes me klubin.

“Trajneri duhet të jetë vetvetja, kjo është gjëja më e rëndësishme. Mënyra se si komunikon, mënyra se si luan, duhet të jetë ai”.

“Mund të fitosh shumë tituj, por lidhja me qytetin dhe njerëzit me të cilët punon… nëse nuk ndihesh rehat me njerëzit me të cilët punon, nuk qëndron 10 vite”./Telegrafi/

telegrafi sport app