LAJMI I FUNDIT:

Hamza: Stafi dhe inspektorët e ATK shumë shpejt me uniforma

Hamza: Stafi dhe inspektorët e ATK shumë shpejt me uniforma
-->

Administrata Tatimore e Kosovës për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka inkasuar 239.5 milionë dhe 8.9 përqind më shumë se në përudhen e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministri i Financave, Bedri Hamza në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se nuk mund të realizohen projektet pa pasur grumbullim edhe të të hyrave.

“Nuk mund të realizohen projektet nëse nuk grumbullohen të hyrat dhe është rezultat i jashtëzakonshëm për t‘u vlerësuar rritja e të hyrave për këtë periudhë të vitit për 9 përqind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje ka ardhur jo si rezultat i ndonjë norme të re tatimore apo ndonjë tatimi të ri. Është dyfishi thuajse i rritjes ekonomike, por është edhe rezultat i performancës së Administratës Tatimore dhe ndoshta edhe disiplinimi i bizneseve të cilat janë duke i paguar obligimet e tyre ligjore”, deklaroi Hamza.

Sipas tij, edhe luftimi i informalitetit duhet të ndodhë, sepse nuk mundet dikush të paguaj taksa e dikush jo, por që trajtimi i tyre duhet të jetë i drejtë për secilin biznes.

Ministri Hamza paralajmëroi se inspektorët e ATK do të jenë me uniformë, jo më me veshje civile.

“Janë rregulluar edhe çështje të tjera, që do të jetë në dobi të zbatimit të ligjit është se punëtorët, stafi i ATK-së do të jenë të uniformuar. Janë punëtorë shtetëror, të cilët do të dihen se nëse inspektori nëse është në detyrë, ku është? Jo të jetë inspektor, e ndoshta me u sjellë në vend të punës duke humbur kohën në mënyrë jo produktive”, tha Hamza.

Sipas ministrit Hamza, nuk është kërkesë dhe nuk ka presion ndaj bizneseve për mbledhjen e tatimeve, përveç asaj që kërkohet me ligj për inkasim.

“Unë sot jam këtu për me mbështet dhe me përkrah Administratën Tatimore në punën e vet, sipas planit të tyre kanë obligim me i kryer të gjitha aktivitetet e veta. Nuk është kërkesë, nuk ka nevojë kurrfarë presioni ndaj bizneseve, por trajtim dhe respekt ndaj bizneseve. Ne nuk kemi nevojë me mbledhur asnjë cent më shumë se që ka thënë ligji. Atë në bazë të ligjit jemi të obliguar me mbledhë dhe me grumbulluar. Kjo është sa i përket trajtimit të tatimpaguesve”, tha ai. /kp/