Hamdi Salihi te Macabi Haifa?

Performanca e shkëlqyer e sulmuesit të Kombëtares shqiptare me Skënderbeun në eliminatoret e Ligës së Kampionëve ku shënoi 5 gola në 5 ndeshje, i ka bindur drejtuesit të Maccabi Haifa të vendosë për shkodranin, duke i ofruar një shumë të kënaqshme.
“Hamdi Salihi, i cili luajti me kampionët e Shqipërisë, është shndërruar në opsionin më të preferuar për “ha’jerakim” (jeshilët), për të forcuar sulmin. Ai do të jetë shumë shpejt tek ekipi i tij i ri (Maccabi Haifa)”, shkruan Sport5.co.il.
Ky do të jetë sezoni i tretë i Salihit në Izrael. Sulmuesi i Kombëtares firmosi fillimisht me Hapoel Akre me të cilën luajti pjesën e dytë të sezonit 2013-2014 (6 gola) dhe pjesën e parë të sezonit 2014-2015 (8 gola), shkruan sportal.al.
Më pas u transferua te Hapoel Haifa (4 gola), për pjesën e dytë të sezonit 2014-2015 dhe me golat e tij e ndihmoi skuadrën të mbijetonte në Liga Ha’al. /Telegrafi/

















































