Haiti – Kombëtarja e parë që eliminohet nga Kupa e Botës 2026


Haiti është bërë përfaqësuesja e parë që eliminohet zyrtarisht nga Kupa e Botës 2026, pas humbjes 3-0 ndaj Brazilit në Philadelphia.
Kombëtarja nga Karaibet, e cila po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1974, nuk arriti t’i bëjë ballë cilësisë së brazilianëve dhe pësoi humbjen e dytë radhazi në fazën e grupeve.
Në qendër të vëmendjes ishte Matheus Cunha, i cili realizoi dy gola për Brazilin, ndërsa në listën e realizatorëve u regjistrua edhe Vinicius Junior.
Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti dominoi takimin dhe siguroi tri pikë të rëndësishme pa hasur vështirësi të mëdha.
Pavarësisht përpjekjeve gjatë gjithë ndeshjes, Haiti e pati të vështirë të krijonte raste të pastra shënimi ndaj njërit prej favoritëve kryesorë për triumfin në këtë turne.

Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para dhe pa asnjë pikë të grumbulluar, Haiti nuk ka më asnjë mundësi matematikore për të siguruar një vend në fazën e eliminimit direkt, duke u bërë kështu kombëtarja e parë që përshëndetet me Botërorin e zgjeruar me 48 ekipe.
Në anën tjetër, Brazili ka forcuar pozitën e tij në grupin C dhe është shumë pranë sigurimit të kualifikimit për në fazën tjetër të garës./Telegrafi/




































