Haaland tërheq vëmendjen pas ndeshjes ndaj Arsenalit, mimika, batuta dhe momenti që u bë viral

Erling Haaland ishte në humor të shkëlqyer pas fitores së rëndësishme të Manchester City ndaj Arsenalit, në një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit në Ligën Premier.
Skuadra e Cityt triumfoi 2-1 në kuadër të javës së 33-të, duke rihapur plotësisht garën për titull.
Vetëm një muaj më parë diferenca mes dy ekipeve ishte 10 pikë, ndërsa tani City është vetëm tri pikë prapa dhe me një ndeshje më pak.

Nëse fiton ndaj Burnleyt, do të marrë kreun e tabelës.
Heroi i ndeshjes ishte Haaland, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 65-të, duke i dhënë ekipit të tij një avantazh të madh në luftën për titull.
Pas përfundimit të takimit, sulmuesi norvegjez u shfaq shumë i disponuar.
Ai pozoi me humor para kamerave dhe publikoi fotografi në rrjetet sociale, të cilat morën qindra mijëra reagime dhe pëlqime.
Gjatë intervistës për Sky Sports, së bashku me bashkëlojtarin Bernardo Silva, Haaland nuk i kurseu as batutat dhe as emocionet.
Në një moment, ai përdori edhe gjuhë jo të përshtatshme, çka bëri që gazetarët ta ndërprisnin dhe ta paralajmëronin për kujdes në shprehje.
Duke folur për një ndërhyrje vendimtare të Silvës në mbrojtje, Haaland e krahasoi atë me legjendën italiane Fabio Cannavaro, duke theksuar se ai kishte luajtur në nivel të jashtëzakonshëm.
“E mbaj mend atë ndërhyrje dhe i thashë pas ndeshjes se ishte si Cannavaro. Sot nuk dua ta teproj me emocione, por ke qenë vërtet i shkëlqyer”, u shpreh Haaland.
Fitorja e Cityt pritet të ketë ndikim të madh në ecurinë e sezonit, duke e bërë garën për titull më të fortë dhe më të hapur se kurrë. /Telegrafi/





















































