LAJMI I FUNDIT:

Gruaja që i ndryshoi qëndrimet kur u njoh me realitetin antishqiptar në Ballkan

Gruaja që i ndryshoi qëndrimet kur u njoh me realitetin antishqiptar në Ballkan

Nga: Daut Dauti

Edith Durham 1863-1944)erdhi në Ballkan e pajisur me ideologjinë liberale gladstoniane (sipas kryeministrit britanik William Ewart Gladstone, që mbështeste interesat e sllavëve të Ballkanit), e cila ishte anti-otomane dhe si e tillë pro e krishterë. Në librin e saj të parë, “Through the Land of the Serb” (Nëpër tokat e Serbisë) të botuar më 1904 – që është i harruar nga serbët e nga shqiptarët e që, në fakt, nuk duhet të harrohet – ajo e përshkruan situatën e atëhershme në Serbi. Ka qëndrim kritik, por simpatia e saj është në anën e Serbisë. Më vonë, kur u njoh me shqiptarët, nisi të simpatizonte për kauzën e tyre nacionale. Por, kjo ishte vetëm simpati meqë ende ishte në anën e serbëve dhe të malazezëve. Si anti-otomane besonte se kombet e Ballkanit duhet të çlirohen dhe të vendosin sundim demokratik – si në shumë vende evropiane.

Me kalimin e kohës qëndrimi i saj ndryshon në mënyrë drastike. Në mëngjesin e 9 tetorit të vitit 1912, Durham si gazetare shkoi në Goricë. E pa Ushtrinë malazeze të gatshme për luftë dhe e vrojtoi knjazin e tyre, Nikollën, kur dha urdhër që ta zbrazej topi i parë në drejtim të Shqipërisë. Me këtë filloi Lufta Ballkanike dhe Durham me gëzim u kthye në Cetinë për ta dhënë e para lajmin që u botua në dy gazetat kryesore britanike dhe evropiane të asaj kohe (“The Manchester Guardian” dhe “The Chronicle”). Në një gazetë tjetër, “The Nation“, i shfaqi ndjenjat e saja politike: “Gladstone kishte të drejtë kur tha se turku duhet të shkojë me thes e me plaçka”. Këto ndjenja ishin në përputhje me liberalizmin gladstonian dhe me ideologjinë pansllave.


Pa kaluar një javë, Durham e vizitoi Tuzin për t’ia uruar princit malazez fitoren. Me veturë zyrtare mbretërore u kthye në Cetinë. Në mbrëmje e vështroi përfundimin e asaj dite dhe në gazetën “The Daily Chronicle” në artikullin “How Tuzi fell” (Si ra Tuzi), ajo shkroi:

“Hëna e hollë ndriçonte me butësi në qiell – tashti e vetmja hënë mbi tokë. Hëna, emblema turke është vënë përtokë, shpresojmë përgjithmonë”.

Për ta ndihmuar luftën e Malit të Zi kundër otomanëve, Durham nisi të punonte si infermiere në Ushtrinë malazeze. Me shërimin e ushtarëve të plagosur malazezë donte ta ndihmonte luftën e këtij vendi kundër otomanëve.

Por, në spitalet ushtarake malazeze e vërejti tmerrin. Të plagosurit e Ushtrisë otomane jo që nuk shëroheshin, por malazezët ua prisnin hundët, veshët, kokat dhe ua rripnin lëkurën për së gjalli apo për së vdekuri. As mjekët malazezë nuk e shihnin si problema këtë punë. Një ditë, një ushtar i plagosur malazez i kishte thënë se donte të shërohej sa më shpejt që të merrte pjesë në plaçkitjen e Shkodrës dhe në dhunimin e grave shqiptare. Një mjek malazez i kishte thënë se prerja në fyt e grave shqiptare dhe e fëmijëve në Shkodër, ishte diçka në rregull. Për këtë arsye Durham u ankua te Qeveria malazeze, e cila qeshi me këtë rast.

Në këtë moment Durham vendosi ta braktiste punën e saj si infermiere. Nuk pranoi ta ndihmonte këtë mentalitet. Një ditë pa se si grupe të grave malazeze po ktheheshin të lumtura nga Kosova ku grave të gjalla e të vdekura shqiptare të Pejës ua kishin plaçkitur edhe rrobat e trupit. Një ditë tjetër një oficer serb i foli me mburrje për masakrat që kishte bërë në Lumë. Masakrat kundër ushtarëve otomanë dhe popullsisë shqiptare nuk ndaleshin. Durham e vërejti shpejt se kjo luftë nuk kishte të bëjë me çlirimin, por se ishte e orientuar në zhdukjen e shqiptarëve për t’ua marrë tokat.

Kjo nuk ishte kauza që do ta mbështeste Durham. Por, besimi i saj në liberalizmin britanik dhe në pasllavizëm e kishin sjellë deri në këtë pikë. Nga ky moment vërejti se kishte qenë në anën e gabuar dhe praktikisht e merr anën otomane dhe nisi t’i mbështesë shqiptarët pa asnjë rezervë. Ishte e qartë se kjo nuk ishte luftë, por shfrenim barbar për ta masakruar tjetrin që kishte kulturë, gjuhë dhe religjion tjetër, dhe se gjithçka ishte mbarësuar nga urrejtja e pakufishme. Njerëzit e mëdhenj e ndërrojnë mendimin kur e shohin realitetin.

Papritmas, artikujt e Durhamit në shtypin britanik ndryshuan në tërësi për nga karakteri. Shkrimet e saja u bënë aq antisllave saqë sot gazetat britanike nuk do t’i botonin shkrime të tilla. Në gazetën “The Nation” ajo shkroi:

“Cari Ferdinand e ka treguar të vërtetën kur ka thënë se kjo luftë është e Kryqit kundër Hënës. Nga kryqi ortodoks rrjedhë gjak i kuq i viktimave. Viktimat nuk janë të gjithë myslimanë. Fanatizmi ortodoks nuk i ka kursyer as romano-katolikët”.

Më në fund Durham u distancua tërësisht edhe nga liberalizmi gladstonian i cili, sipas saj, ndihmoi në prodhimin e dhunës në Ballkan. Për këtë, në letrën që ia dërgoi mikut të saj Boyle, i cili ishte njëri nga udhëheqësit e Komitetit të Ballkanit, shkroi:

“Çfarë mashtrimi. E tërë kjo gjë për ‘çlirimin e të krishterëve nga zgjedha turke’, të cilën në Angli e nisi Gladstone, ai fanatiku plak. Duke mos jetuar kurrë në këtë vend, ai nuk e dinte për çfarë po fliste”.

Prandaj, Durham e merr anën e Austro-Hungarezëve që i kundërshtonte më parë. Nisi punën e pandalshme të saj për kauzën shqiptare dhe nuk u ndal në këtë deri në vdekje.

Askush nuk i ka paraqitur më mirë se Durhami tendencat e pan-sllavizmit dhe rezultatet gjenocidale të kësaj ideologjie. Kontributi i saj për shqiptarët mbeti i papërsëritshëm.

Durham ka qenë grua gjigante dhe mbetet heroina më e madhe te shqiptarët. /Telegrafi/