LAJMI I FUNDIT:

Keqinterpretimi i historisë shqiptare me Oliver Jens Schmitt-in në rolin e një gladstoniani

Keqinterpretimi i historisë shqiptare me Oliver Jens Schmitt-in në rolin e një gladstoniani

Një artikull i historianit Oliver Jens Schmitt, me titull ‘Debakli i një superfuqie’, shkakton më shumë se huti në mesin e atyre që interesohen për fushën e historisë shqiptare. Sipas informatave, artikulli është botuar së pari në ‘Neue Zürcher Zeitung’, me qëllim të ofrimit të një pasqyre të shkurtër në lidhje me historinë shqiptare të periudhës 1878-1912. Teksti ka një hyrje që flet për një propagandë të Turqisë së sotme që ka për qëllim shpjegimin e tendencave neo-otomane në Ballkan. Në fakt, brendia e tekstit ka fare pak të bëjë me këtë hyrje.

Në fillim të tekstit shpjegohet vrasja e Ali Pashë Maxharrit (Ludwig Karl Detroit-it) në Gjakovë në vitin 1878, duke u krahasuar me vrasjen e gjeneralit britanik Gordon në Kartum në vitin 1885. Vrasja e Ali Pashë Maxharrit, siç e quanin shqiptarët, dhe Gordon Pashës, siç e quanin sudanezët, ka sinjalizuar fillimin e krijimit të dy shteteve, por edhe fillimin e shpërbërjes së dy perandorive – britanike dhe otomane. Ky shpjegim, i krahasuar në këtë mënyrë, është i logjikshëm. Por, këtu, pra mu në fillim të këtij teksti, përfundon logjika e ofrimit të fakteve dhe interpretimit të tyre që bënë më poshtë Schmitt.


Më poshtë shohim arsyen e krijimit dhe zbatimit të politikës pan-islamike të Sulltan Abdyl Hamitit II. Kjo politikë, siç na ofrohet në tekst, duket se ka qenë tërësisht e përqafuar nga shqiptarët. Schmitt nuk bënë asnjë shpjegim të këtij konstatimi dhe një gjë e tillë, te lexuesi i painformuar, krijon një pasqyrë të gabuar për çështjen shqiptare të kësaj periudhe. Me pak fjalë, kjo gjë do të ishte shpjeguar pa hulumtuar shumë, pasi që përgjigja është dhënë nga George Gawrych në librin e tij të njohur “The Crescent and the Eagle” (Hëna dhe shqiponja).

Shpjegimi duket se është injoruar nga Schmitt-i. Prandaj, ai i shpallë shqiptarët si përqafues të idesë pan-islamike dhe pastaj vazhdon me shkrimin e tij duke e thelluar kontradiktën.

Shqiptarët e periudhës në fjalë, sipas tij, janë islamistë por, megjithatë, shih çudinë, ata ia dalin ta fusin Perandorinë Otomane në një debakël, pasi që aplikojnë të drejtën zakonore apo Kanunin (një ligj mesjetar siç e përshkruan ai) në qeverisjen e tyre. Pyetja që duhet bërë në këtë moment është: si është e mundur që ata që besojnë në një gjë, njëkohësisht punojnë për ta shkatërruar atë? Përgjigja që dështon ta ofrojë Schmitt është se një studim i shkurtër i kësaj çështjeje do të shpaloste faktin se shqiptarët, që nga fillimi i shekullit XIX, kur u lajmëruan idetë nacionaliste në Ballkan, kurrë nuk kanë besuar në Perandorinë Otomane e as në idetë pan-islamike. Por, ata ishin të detyruar që të ‘bashkëpunonin’ me të nga frika që u kërcënohej nga vendet fqinje.

Schmitt krijon një problem serioz me rastin e trajtimit të Lidhjes së Prizrenit. Ja fjalia që e përdorë ai: “E ashtuquajtura Lidhje e Prizrenit, që sot lartësohet si protoshtet shqiptar, ishte më shumë një aleancë e parisë myslimane me tendencë armiqësore ndaj të krishterëve”.

Edhe laiku më i madh nga lëmia e historisë do ta kualifikonte këtë konstatim si gabim kardinal. Është e vërtetë që Lidhja e Prizrenit nuk shfaqi simpati ndaj fqinjëve, por jo për shkak se ata ishin të krishterë, por për shkak se ata ua okuponin tokat mbi të cilat shqiptarët planifikonin ta zbatonin parimin themelor nacionalist: krijimin e shtetit të tyre. Është e vërtetë që Lidhja e Prizrenit nuk ishte homogjene siç dëshirojnë sot ta shohin shqiptarët, pasi që në mesin e përfaqësuesve të saj ekzistonte një rrymë konzervative pro-islamike. Por, një fakt që nuk përmendet nga Schmitt është se kjo rrymë, që bazohej në islamizëm, kishte po ashtu karakter shqiptar, madje edhe shovinist, pasi që kërkonte edhe përfshirjen e Bosnjës brenda një njësie autonome dhe nën patronatin e sulltanit.

Një shikim i shkurtër do të vërtetonte se asgjë të keqe nuk ka nga kjo aspiratë, jo vetëm për shkak se ishte e paarritshme, por edhe për shkak se në atë kohë të gjitha planet nacionaliste në Ballkan ishin të kësaj natyre dhe kjo gjë nuk e bënë islamike lëvizjen kombëtare shqiptare. Në realitet, siç u pa më vonë, kjo kërkesë dhe krahu pro-islamik u eliminuan shpejt kur Lëvizjen e mori për ta udhëhequr Abdyl Frashëri – një politikan me ide liberale evropiane dhe i cili, sikur edhe shumica e udhëheqësve tjerë, kërkoi zbatimin e parimit etnik në themelimin e shteti të ardhëm shqiptar.

Është po ashtu e vërtetë se shqiptarët (Schmitt vazhdimisht kësaj fjale ia shton epitetin MUSLIMAN) ushtronin dhunë ndaj të krishterëve e cila gjë është e dokumentuar nga raportet e konsujve. Por, po ashtu është e dokumentuar, po nga të njëjtit konsuj dhe diplomatë, se niveli i dhunës është stërmadhuar më shumë se shpesh nga shteti serb, me anë të përfaqësive diplomatike që i kishte në Kosovë dhe në Maqedoni. Stërmadhimi i dhunës është bërë edhe nga disa përfaqësi diplomatike evropiane prosllave. Qëllimi ishte që territoret shqiptare të shpalleshin si problematike pas inskenimeve të incidenteve dhe Serbia të krijonte ‘casus belli’ për të intervenuar ushtarakisht. Kjo tendencë, të cilën Schmitt dështon ta vërejë, është shpjeguar nga shumë historianë, përfshirë edhe Noel Malcolm-in, i cili ofron shumë raste, përfshirë edhe ‘Rastin a Pasjanit’.

Sipas Schmitt-it, shqiptarët, pra shqiptarët myslimanë, kanë ushtruar aq shumë dhunë ndaj të krishterëve të diskriminuar sa që, në një mënyrë, ai e arsyeton intervenimin e ushtrive të Ligës Ballkanike në territoret evropiane otomane, të cilat në fakt ishin territore shqiptare. Schmitt e përdor këtë fjali: ‘Bilanci i vitit 1912 është i rëndë: diskriminimi strukturor i të krishterëve e shpjegon etjen e tyre për hakmarrje dhe dhunë kundër myslimanëve në luftërat ballkanike’.

Me fjalë tjera, Schmitt hap një shteg për të arsyetuar krimet e ushtrive ballkanike që ushtruan ndaj shqiptarëve dhe nga të cilat ishte tmerruar opinion evropian dhe dëshmitarët, siç ishte Trocki, por edhe vetë serbët siç shohim nga shënimet e Tucoviqit dhe shumë të tjerëve.

Ideja e paraqitjes së problemit të Ballkanit pas periudhës 1878-1912 në mënyrë ekskluzivisht religjioze, të cilën e aplikon Schmitt, është e vjetër. Origjinën e saj duhet kërkuar në Londër në mesin e intelektualëve dhe historianëve që ishin anëtarë të Komitetit Ballkanik, që u formua në vitin 1903. Të gjithë anëtarët e kësaj organizate, në fillim edhe Edith Durham, ishin trashëgimtarë të idesë së Gladstone-it i cili e favorizonte përzierjen e Rusisë në Ballkan dhe mbrojtjen e të krishterëve nga myslimanët. Në këtë mes, konflikti ballkanik shihej vetëm nga prizma religjioze: të krishterët kundër myslimanëve ose anasjelltas.

Ky është qëndrimi që tani na e ofron Schmitt dhe nga i cili qenë distancuar edhe vet krijuesit e tij, siç ishte Robert William Seton-Watson – një historian proserb dhe më vonë edhe projugosllav i flaktë.

Megjithatë, Edith Durham ishte e vetmja që kaloi në mbrojtjen e shqiptarëve, pasi që ajo e kishte vërejtur se konflikti në Ballkan ishte rezultat i nacionalizmave që kërkonin akomodim pas zhbërjes eventuale të Perandorisë Otomane. Por, si duket Schmitt nuk ka kaluar shumë kohë në shfletimin e librave të Durham-it, Brailsford-it, por edhe të disa tjerëve.

Durham, për ta forcuar realitetin që e shihte në Ballkan, ka ofruar shumë shembuj që ilustrojnë faktin se në Maqedoni, të krishterët (bullgarët, serbët, maqedonët dhe grekët) më shumë vriteshin mes vete se sa në luftë kundër pushtetit otoman. Kështu e kërkonte parimi nacionalist i cili e përjashtonte afrinë e tyre religjioze.

Tri gra britanike, Paulina Irby, Georgina Mackenzie dhe Rebecca West udhëtuan dhe qëndruan gjatë në Ballkan. Edhe këto ishin gladstoniane dhe proserbe. Në shënimet e tyre shohim se si ato çuditen me faktin se të krishterët (katolikët) shqiptarë nuk luftonin kundër myslimanëve shqiptarë pasi që edhe këto nuk e shihnin problemin e Ballkanit jashtë prizmit religjioz. Madje, këto tri gra në librat e tyre kanë rezervuar mjaft terme pezhorative për shqiptarët katolikë për arsye se, sipas tyre, këta shqiptarë po e ‘tradhtonin’ religjionin e tyre.

Por, Schmitt, duket se ka vendosur ta injorojë këtë realitet, dhe duke e bërë këtë gjë, ai largohet nga pozita e historianit dhe afrohet me ish-aktivistët politik gladstonianë të Komitetit të Ballkanit të cilët gabimisht i shihnin shqiptarët si myslimanë, si persekutues të krishterëve dhe përkrahës të Perandorisë Otomane.

Kur jemi te rasti i Maqedonisë dhe zbatimi i reformave, duhet theksuar se reformat nuk dështuan vetëm për fajin e Portës së Lartë, siç mendon Schmitt. Në një masë të madhe reformat dështuan për arsye se ato nuk i përfshinin shqiptarët, por edhe më shumë për shkak se vetë të krishterët i bojkotuan ato. Dokumentet që e vërtetojnë këtë fakt janë të shumta. Sidomos ishte Serbia ajo që nuk i interesonin reformat dhe intervenonte te serbët e Kosovës dhe Maqedonisë, sikur që intervenon edhe sot, që të mos bashkëpunonin me Komisionin e Reformave. Këtë e bënte për arsye se pozita e serbëve duhej të ‘vërtetohej’ si e padurueshme në mënyrë që të intervenohej ushtarakisht dhe të zbatohej në praktikë miti i tyre për ‘Stara Srbija’ ( ‘Serbinë e Vjetër’).

Dhe, intervenimi ushtarak nuk u bë për shkak se myslimanët ushtronin dhunë ndaj të krishterëve, por për shkak se këtë veprim vendeve ballkanike dhe Fuqive të Mëdha ua mundësonte neni 23 i Konventës së Berlinit të cilën fakt Schmitt nuk e paraqet në këtë artikull.

Pra, siç shihet, porosia e Schmitt-it për lexuesin është se lëvizja kombëtare shqiptare është islamike dhe e cila në proces të zhvillimit të saj ka ushtruar dhunë kundër të krishterëve. Në fakt, siç u pa më lartë, kjo nuk është e vërtetë. Rezultati që shihet sot, flet për të kundërtën.

Në trend

Më shumë
Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Lajme
Reagimi me një fjalë i ministrit izraelit – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagimi me një fjalë i ministrit izraelit – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
24 orë na ndajnë nga ngjarja e madhe Halving në Bitcoin

24 orë na ndajnë nga ngjarja e madhe Halving në Bitcoin

Ekonomi
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
E ardhmja e Guardiolës tek Man City në dyshim – një emër i ri del favorit për ta zëvendësuar atë

E ardhmja e Guardiolës tek Man City në dyshim – një emër i ri del favorit për ta zëvendësuar atë

Premier League
Kalo në kategori