LAJMI I FUNDIT:

Grida Duma lë mandatin e deputetes

Grida Duma lë mandatin e deputetes

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma e ka konfirmuar sot se ka lënë mandatin e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë.

Në një dalje për mediat nga selia e Kuvendit, Duma theksoi se një vendim të tillë e mori pas një reflektimi të gjatë duke shtuar se ka marrë vendimin e duhur.


“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha”, tha Duma.

“Më e thjeshta për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja të ndodhin dështimet që disa i parashikojnë, të vegjetoja, të bëja sikur nuk i shihja problemet e brendshme. Por, unë nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë”, shtoi ajo.

Ajo u shpreh se politika e llumit dëmtoi dhe djalin e saj, ndërsa shpreson që këto goditje të kenë qenë mësim për të.

“Nuk i jam larguar përgjegjësi edhe kur më kanë goditur personalisht, mjerisht sepse nuk gjetën dot një aferë korrupsioni, një nderje duarsh.

Jam sulmuar nga hienat. Sot do t’ju them që ka një gjë që nuk do ja fal kurrë politikës së llumi që ndoshta do jetë pengu, goditja që më bënin mua nën brez, godiste pandërprerë tim bir, nuk e kam falur kurrë dhe as nuk do t’ja harroj politikës së llumit dhe shpresoj të ketë qenë një mësim për të. Herë pas here dalin me fytyrën e ngrirë sikur po shpikin rrotën. Do t’i shfaqen edhe atij fytyra të atyre të korruptuarve të nginjur.”- tha ajo.

Mandati i Grida Dumës i kalon Ori Nebiajt, pasi në zgjedhjet e 2021 ka siguruar 5,599 vota preferenciale. Ende nuk dihet nëse Nebiaj do ta pranojë mandatin, pasi ajo gjithashtu është e angazhuar në botën e televizionit.

Një ditë më parë mandiatin e deputetit e la Alfred Rusha. Ai u largua për shkak të angazhimeve personale, ndërsa vendin e tij do e marrë Petrit Doda. /Telegrafi/