Gratë e Nurembergut dhe krimet më të errëta të historisë

Studimi i Natalie Livingstoneit - Gratë e Nurembergut: Në gjyqin që solli nazistët para drejtësisë [The Nuremberg Women: At the Trial that Brought the Nazis to Justice] - i vendos për herë të parë gratë e guximshme në ballë të historisë. Roli jetësor që gratë luajtën në këtë llogaridhënie përfundimtare nuk mund të harrohet më.
Nga: Geordie Greig / Independent (titulli: An extraordinary book about the Nuremberg women casts new light on history’s darkest crimes)
Përkthimi: Telegrafi.com
Pika e nisjes për këtë rrëfim origjinal dhe provokues të gjyqit të Nurembergut, përballja gjyqësore me krimet më të rënda të luftës në histori, fillon me një pikturë të zymtë. Vepra, nga artistja britanike Laura Knight, paraqet komandën e lartë naziste në Sallën e Gjyqit 600 në Pallatin e Drejtësisë të qytetit gjerman. Të veshur me kostume, të tkurrur dhe disi të rrënuar, këta burra - dhe pika kyçe e pikturës dhe e këtij libri është se ata janë të gjithë burra - janë tërësisht të zvogëluar nga kulmi i tyre disa vite më parë, kur besonin se do të sundonin botën duke justifikuar mizori të panumërta, përfshirë Holokaustin.
Nuk ka asnjë grua në pikturën e Knightit, e cila sot qëndron e ekspozuar në Muzeun Perandorak të Luftës në Londër, një dëshmi që ende të rrëqeth më shumë se 80 vjet më vonë. Duke i dhënë tashmë rëndësi dëshmisë së saj dhe të grave të tjera në Nuremberg, autorja Natalie Livingstone u jep këtyre zërave një fjalë të fundit kolektive mbi vrasësit masivë, të cilët në ditët e tyre të fundit duken patetikë dhe të zakonshëm, si nëpunës pa fytyrë në një firmë financiare në rënie, ndërsa presin gjykimin dhe ekzekutimin ose burgimin për krime lufte.
E keqja, kur shkëputet nga pushteti, zakonisht reduktohet në pafuqi. Ajo që nuk reduktohet është tmerri i qëndrueshëm: gjashtë milionë u vranë në Holokaust, dy milionë prej tyre gra. Fati i asnjë gruaje nuk vlen më shumë ose më pak se ai i ndonjë burri, por gratë meritojnë një zë në përballjen përfundimtare. Përndryshe, kjo është një fyerje për drejtësinë dhe historinë. Livingstone, mbesa e të mbijetuarve të Holokaustit, e ka bëri këtë me ndikim dhe origjinalitet.

Zonja Laura Knight është një nga tetë gratë, rolet e të cilave në gjyq theksohen para, gjatë dhe pas kohës së tyre në Nuremberg, ku secila duhej të luftonte për vendin e saj thjesht për të qenë aty, kryesisht kundër mizogjinisë dhe shovinizmit të rrënjosur të kohës. Disa nga këto gra deri tani janë shpërfillur kryesisht, janë anashkaluar, fshehur ose harruar në përpjekjen për të mbajtur përgjegjës keqbërësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Të tjera, si Rebecca West dhe Erika Mann, ishin reportere të njohura.
Një të nëntë që do të kisha shtuar unë është Gita Sereny, gazetarja heroike britanike, e cila më vonë demaskoi Albert Speerin, mikun dhe aleatin e ngushtë të Hitlerit, përmes raportimit këmbëngulës dhe marrjes në pyetje pas gjyqit - kur ai i shpëtoi ekzekutimit, por u bë i burgosuri më famëkeq në botë.

Një moment veçanërisht rrëqethës i rrëfyer nga Livingstone është kur Marie-Claude Vaillant-Couturier, një e mbijetuar e kampeve dhe pjesëtare e Rezistencës franceze, jep dëshmi therëse për masakrën çnjerëzore dhe për mizorinë sistematike - gjatë së cilës në sallën e gjyqit mund të dëgjohej rënia e një gjilpëre - dhe, më pas, ajo kaloi ngadalë dhe me qëllim pranë bankës së të akuzuarve, duke ndaluar dhe duke i parë secilin prej tyre në sy dhe në shpirtrat e tyre të zbrazët.
Tetë heroinat e Livingstoneit janë bindëse; jeta e tyre më e gjerë paraqitet mirë teksa ato dolën përpara për t’u siguruar që njolla naziste mbi njerëzimin të mos lejohej kurrë të shpërfillej, zbehej apo harrohej. Tetëshja e Nurembergut përbëhet nga një piktore britanike, një juriste amerikane, një reportere gjermane, një përkthyese ruse, një kronikane britanike, një reportere e njohur gjermano-britanike, një fotografe franceze/heroinë e Rezistencës dhe një konteshë hungareze që strehoi si të mbijetuarit, ashtu edhe kriminelët e luftës. Nuk kishte gjykatëse apo gra vendimmarrëse në procesin ligjor. Secila prej këtyre tetë grave luftoi që elementet thelbësore të së vërtetës të thuheshin. Historitë e tyre personale përmbajnë përulësi dhe vendosmëri të hekurt; shumica ishin gra të zakonshme, cilësitë e jashtëzakonshme të të cilave u zbuluan përmes prizmit të Nurembergut, sikur një rreze drite dhe ajri të bllokuar nga vitet 1940 të ishte ruajtur në një kapsulë kohe dhe vetëm tani të ishte çliruar.

Mesazhi themelor i Livingstoneit është se gratë janë, sigurisht, moralisht të domosdoshme për të ndriçuar këtë episod të errët të masakrës dhe së keqes mashkullore. Rrëfimi i saj nuk është i ngarkuar apo predikues; argumenti ndërtohet duke treguar, jo duke thënë. Kjo është arsyeja pse libri të bind. Një botë ku gratë shtypen shpesh çon në shthurje. Ky është një rrëfim biografik kaleidoskopik i tetë grave, me histori tronditëse, që sjell perspektivë dhe dhembshuri më të gjerë për këtë gjyq tronditës, hera e parë kur fjalët “krime lufte” u përdorën zyrtarisht dhe kur u vendos parimi udhëzues se e mira duhet të ketë një strukturë ligjore globale për të mposhtur të keqen.
Gratë nuk munguan aspak në Luftën e Dytë Botërore - 640 mijë prej tyre ishin pjesëtare të forcave të armatosura britanike. Një në pesë anëtarë të Rezistencës franceze ishte grua. Megjithatë, ishte një luftë burrash, e formuar nga burrat, e rrëfyer kryesisht nga burrat dhe pothuajse të gjithë kriminelët e luftës ishin burra. Ky libër na ndihmon të gjithëve të mos harrojmë kurrë. Dhe, si një thikë, ai pret me mjeshtëri përmes maçoizmit, dhunës dhe tmerrit masiv të shkaktuar nga burrat në luftë, në mungesë të ndikimit femëror.
Miliona gra vuajtën në Luftën e Dytë Botërore, por atyre u mungonte një zë në tryezën e vendimmarrjes. Siç tregoi Rebecca West në reportazhin e saj epik për The New Yorker, drita mund ta shpërbëjë dhe ta shkatërrojë errësirën, e vërteta mund të zbulojë shpifjet dhe mizoritë: kështu, ky libër i shton një dëshmi dhe argument të rëndësishëm kujtesës sonë për atë që ndodhi dhe për të mos u lejuar kurrë të harrohet. /Telegrafi/



















































