LAJMI I FUNDIT:

Gjysmë viti pa rroga

Gjysmë viti pa rroga

Kriza financiare i është futur në palcë sportit kosovar. Klubet mezi mbijetojnë dhe rrogat të cilat ua ndajnë sportistëve janë për gjynah. Por, ka edhe më keq. Hendbollistët e Prishtinës nuk kanë marrë rroga qe pesë muaj. Ata thonë se do të presin vetëm edhe këtë muaj, pasi “kupa është mbushur”. E kryesia premton se do t’i shlyejë borxhet shpejt.

Kriza financiare vazhdon të jetë prezente në sportin kosovar. Klubet veprojnë sot për nesër dhe nuk kanë kurrfarë stabiliteti. Ata mezi mbijetojnë dhe rrogat të cilat ua ndajnë sportistëve janë për gjynah, shkruan Zëri.


Bile, pjesa dërrmuese, në sporte të ndryshme, nuk ua japin me rregull pagat. “Viktimë” e kësaj sindrome janë edhe hendbollistët. KH Prishtina është duke i përjetuar momentet e vështira ndoshta në histori të saj.

“Zëri” mëson se lojtarët të cilët djersitin fanellën e këtij klubi, nuk janë paguar gati gjysmë viti, më saktësisht, tash e pesë muaj. Njëri prej lojtarëve, në kushte anonimiteti, ka treguar gjithçka për gjendjen e mjerueshme në klub.

“Tash e pesë muaj nuk jemi paguar nga klubi. Përkundër kësaj, ne kemi vazhduar të luajmë sikurse të ishim paguar me rregull”, potencoi burimi i gazetës.

Një muaj afat

Durimit të lojtarëve duket se i ka ardhur fundi. Ata e kanë paralajmëruar kryesinë e klubit se nuk do të luajnë gjatë në kësi lloj kushtesh, pasi kupa është mbushur.

“I kemi treguar edhe kryesisë së klubit se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, ne nuk do të luajmë më, pasi është bërë një kohë e gjatë që nuk jemi paguar”, thotë ky burim për gazetën. Sipas këtij të fundit, nga muaji nëntor i vitit 2015, lojtarët nuk janë paguar.

Shpresa në RTK

Problemet me paga i ka konfirmuar për “Zërin” edhe kryetari i klubit, Eduard Berisha. Ai ka thënë se pret që shumë shpejt, këto detyrime ndaj lojtarëve të kryhen. “Është e vërtetë se kemi detyrime ndaj lojtarëve, por u kemi premtuar se këto shumë shpejt do të kryhen”, u shpreh Berisha për Zërin.

Ndryshe, i pari i klubit prishtinas ka zbuluar se janë në pritje që Radio Televizioni i Kosovës (RTK), t’i kryejë disa obligime ndaj bardhekaltërve.

“Televizioni Publik i Kosovës ka disa detyrime ndaj klubit tonë për arsye të transmetimit të ndeshjeve dhe për këtë e kemi të nënshkruar një kontratë, e cila nuk është përmbushur ende. Kemi pasur një takim me këtë të fundit dhe kemi arritur një marrëveshje që detyrimet të shlyhen dhe me ato të ardhura do t’i paguajmë lojtarët e klubit”, deklaroi Berisha.

I pari i klubit prishtinas thotë se në rast se kjo marrëveshje nuk do të respektohet, atëherë do të veprojnë ndryshe. “Shpresoj që këtë marrëveshje të cilën e kemi pasur, të respektohet. Por, nëse një gjë e tillë nuk do të bëhet, atëherë do të shkojmë përmes përmbaruesit”, potencoi Berisha.

“Zëri” mëson se RTK-ja ia ka rreth 20 mijë euro borxh klubit prishtinas, të cilat do të mjaftonin që të shlyhet borxhi ndaj lojtarëve. Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, por kontakti me të ishte i pamundur.