LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi për vrasjen e Ivanoviqit, kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës tregon për presionet dhe kërcënimet nga Lista Serbe

Gjykimi për vrasjen e Ivanoviqit, kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës tregon për presionet dhe kërcënimet nga Lista Serbe

 Në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, ka dhënë dëshminë kryetari i Parisë së Serbëve të Kosovës, Aleksader Jabllanoviq.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviq e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Dëshmitari Aleksander Jabllanoviq ka thënë se që nga vitit 2014 ishte marrë me politiken në Kosovë, derisa kishte themeluar edhe Listën Serbe, ku në vitin 2017 tha se ishte ndarë nga kjo parit dhe kishte krijuar një parti të re, “Partia e Serbëve të Kosovës”, ku në vitin 2017, tha se ka marrë pjesë në zgjedhje.

Ai ka thënë se gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2017, është kërcënuar nga Lista Serbe të cilët formalisht tha se e kishte udhëhequr Milan Radojçiq, i cili gjendet në arrati.

Gjatë asaj kohe, dëshmitari tha se për shkak të kërcënimeve ishte detyruar të mbajë jelek antiplumb, si dhe të sigurojë banesën e tij me anë të policisë, si dhe i është kufizuar edhe liria e lëvizjes për shkak të rrezikut.

Në vitin 2015, dëshmitari tha se me ftesë të Milan Radojçiqit ishin takuar në një restorant, i cili tha se ka kishte qenë në shoqërinë e disa personave pa flok dhe me mjekrra, të cilët në veri të Mitrovicës njihen e emrin “Bradonje”, dhe kur kishte filluar bisedën me Radojçiqin tha se i njëjti ia kishte treguar që ka qenë i pajisur me armë dhe e kishte sugjeruar që të ketë kujdes.

Arsyeja e këtyre kërcënimeve sipas dëshmitarit kanë qenë për shkak se nuk e ka dëgjuar Radojçiqin, të cilit i kishte thënë se do ta dëgjonte vetëm nëse ekziston ndonjë komunikim nga Qeveria e Serbisë drejt Listës Serbe në Kosovë, por jo edhe urdhra privat.

Pas këtij deklarimi, prokurori special Burim Qerkini e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në prokurori në të cilën kishte deklaruar “…të gjithë njerëzit të cilët më janë drejtuar mua më kanë thënë se këtë e kanë urdhër nga politika e Qeverisë së Serbisë e cila neve na konsideronte si parti tradhtare, pro shqiptare dhe në kundërshtim me interesat serbe”.

Lidhur me këtë deklaratë dëshmitari ka deklaruar se mbetet pranë asaj deklarate.

Me të ndjerin Ivanoviq, dëshmitari tha se kishin biseduar dy herë, herën e parë rreth një organizimi të një emisioni televiziv në kohën e fushatës dhe herën e dytë kur i njëjti ka qenë në spital dhe ka filluar grevën e urisë, derisa ka qenë në paraburgim, e që sipas dëshmitarit Ivanoviqi nuk ka shprehur ndonjë presion apo kërcenim.

Kur ka ndodhur vrasja e Ivanoviqit, dëshmitari tha se ka qenë me familje në Bjeshkët e Sharrit, dhe se përmes telefonit kishte kuptuar për këtë vrasje.

Sipas tij, ka pasur telefonata nga serb dhe shqiptarë të cilët ishin interesuar duke menduar se vrasja e Ivanoviqit ishte fushatë e vrasjeve politike, me qëllim eliminimin e kundërshtarëve politik.

Kur kishte shkuar për ngushëllime për vdekjen e Ivanoviqit, dëshmitari ka thënë se bashkëshortja e tij i kishte thënë “ruju, a po e sheh ma mbyten këta banditët (duke iu referuar Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç), Oliverin, ruju”.

“Lista Serbe me akuza ndaj meje, Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve në mënyrë të caktuar neve na i ka vizatuar shënjestrat, sepse nëse dikush çdo të dytën dhe të treten ditë na akuzohen se jeni bashkëpunëtor i shqiptarëve, të paguar nga jashtë, tradhtar, gjithësisë kjo kampanjë që e ka krijuar Lista Serbe nga ne ka krijuar një lloj njerëz të pavlerë dhe në atë mënyrë kemi qenë të etiketuar”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se dy ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, ishte ftuar nga Milan Radojçiqi me të cilin tha se ishin takuar, dhe se i njëjti i kishte thënë që të kishte kujdes.

“Kur jam takuar me të në restorant “Gray”, e kam pyetur pse ma ka thirr, ai më ka thënë “a e sheh çka po ndodh këtu në veri, e mbyten Oliverin, askush nuk e di se kush e ka mbytur, ki kujdes së është një kohë e rëndë, do të kuptohet se kush e ka vra, por derisa të kuptohet ki kujdes”, unë si në hajgare i kam thënë “hajde edhe ti në media”, ai më ka thënë “skam asgjë me vrasjen e Oliverit, në atë politikisht e kemi mundur në 2017 në tetor”, këto kanë qenë fjalët e tij”, ka thënë dëshmitari.

I pyetur se a ka ndonjë pozitë shtetërore, dëshmitari ka thënë se nuk ka ndonjë pozitë shtetërore përpos që gjendet në stop listën e Serbisë si “armik i shtetit”.

Në seancën e së hënës është dëgjuar edhe babai i të akuzuarit Marko Rashiq, dëshmitari Nebojsha Roshiq, i cili ka deklaruar se ka punuar polic në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa pas vitit 2017, është caktuar si udhëheqësi i ndërrimit.

Në kohën sa kishte punuar si shef i ndërrimit, ai ka thënë se vartës të tij kanë qenë të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq.

Kur kishte ndodhur vrasja e Ivanoviqit, ai ka thënë se ka qenë në ndërrimin e parë prej orës 07:00 deri në orën 15:00, por ka thënë se ai nuk ishte marrë me rastin, pasi përgjegjëse sipas tij, ka qenë njësia e hetuesisë dhe njësia regjionale, ndërsa ai me grupin e tij vetëm e kishin siguruar vendin e ngjarjes.

Ai tha se nga Zharko Javanoviqi kishte dëgjuar se e kishte parë Ivanoviqin të shtirë në tokë me dyshimin se ka pasur sulm në zemër, ndërsa kur kishin mbërritur në spital, dëshmitari tha se kishin marrë vesh se i njëjti ishte vrarë.

Dëshmitari tha se në vendin e ngjarjes kishte shkuar së bashku me Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq, të cilët i kishte urdhër që të sigurojnë vendin e ngjarjes, ndërsa më pas tha se me hetimin e vrasjes ishte marrë hetuesia dhe njësia regjionale.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 4 mars 2022.

PSRK fillimisht kishte ngritur aktakuzë më 27 dhjetor 2019 kundër Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veture thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllain e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr ngga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyret e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dal në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë akuzohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Në trend Lajme

Më shumë
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Bajrami i reagon Muratit pasi tha se ka rritje të qarkullimit të biznesve, e fton për përballje

Bajrami i reagon Muratit pasi tha se ka rritje të qarkullimit të biznesve, e fton për përballje

Lajme
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Kurti: Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë për tri vjet, ne e kemi zbritur në 38 milionë

Kurti: Më herët mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë për tri vjet, ne e kemi zbritur në 38 milionë

Lajme
Aksident tragjik në Kërçovë, humbin jetën tre persona

Aksident tragjik në Kërçovë, humbin jetën tre persona

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori