Ka kaluar një vit prejse ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe ende nuk dihet një datë se kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përkundër faktit se kanë kaluar gjithë këta muaj që nga arrestimi i tyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar, deri më tani nuk ka arritur që të dorëzojë në gjykatë dosjen paraprake për këtë rast, e cila përmban përmbledhje të provave, që Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës së pretenduar penale.

Një gjë të tillë, Zyra e Prokurorit të Specializuar është urdhëruar që ta bëjë deri më 17 dhjetor të këtij viti – afat ky i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

I shqetësuar me procedim të ngadaltë të materialeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar shprehet avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

Kehoe thotë se Prokuroria ka kërkuar vazhdimisht shtyrje të afateve për dorëzim të materialeve, duke dhënë arsyetime të ndryshme për vonesat, përfshirë arsyetimin për volumin e madh të dokumenteve, të dëshmive, të provave dhe të materialeve të tjera, si dhe mungesën e stafit për t’i proceduar ato.

“Është e vështirë të thuhet se sa materiale kemi pranuar, kur nuk e dimë edhe sa të tjera do të na vijnë”, thotë Kehoe.

Në muajin nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit para Gjykatës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se synon që gjykimi ndaj tyre të fillojë më së largu në verën e vitit 2021.

Gjatë fjalës së Prokurorisë është thënë se janë mbi 1,500 prova të ndryshme që duhet të administrohen, si dhe mbi 150 dëshmitarë.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, thotë se vonesat në dorëzimin e materialeve nga ana e Prokurorisë, kanë të bëjnë me faktin se, sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë pa qenë e gatshme për këtë proces.

“Arsyet janë të ndryshme, por numër një është se ata [Zyra e Prokurorit të Specializuar] kanë ngritur aktakuzë përpara se të jenë gati. Klientët tanë janë në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar, më shumë se një vit, dhe kur Prokuroria ka ngritur aktakuzën, ata kanë thënë se do të jenë gati për ta gjykuar këtë rast në pranverën e vitit 2021”, thotë Kehoe.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të duhej t’i ndante dokumentet sipas procedurës shumë kohë më parë.

“Ata ende nuk janë gati ta bëjnë këtë. Ata ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet dhe vazhdimisht kanë kërkuar kohë shtesë për të dorëzuar atë që do të duhej të ishte dorëzuar shumë kohë më parë, marrë parasysh faktin se, vitin e kaluar, kanë thënë para gjykatës se do të jenë gati të procedojnë në pranverë”, shprehet Kehoe.

Ai shton se shumë dokumente të Prokurorisë janë të redaktuara tej mase dhe se vështirë kuptohet se për çfarë flasin dëshmitarët.

“Shumë shpesh kur kemi deklarata të dëshmitarëve që janë të redaktuara në mënyrë të rreptë, është shumë e vështirë për mua dhe stafin tim, si dhe për njerëzit që i rishikojnë këto informacione, të kuptojnë plotësisht atë se çfarë dëshmitari është duke thënë. Shumë, shumë e vështirë”, thotë Kehoe.

Ellis: Prokuroria mund të mbahet përgjegjëse për vonesën

Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, Mark Ellis, thotë se nuk beson se fillimi i procesit gjyqësor për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin është duke u shtyrë me ndonjë qëllim.

Ai thotë se në bazë të asaj që është parë deri më tani, në Dhomat e Specializuara është bërë një punë e madhe, duke përfshirë edhe zhvillimin e tetë konferencave statusore.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në konferenca të tilla, Prokuroria tregon se çfarë lloj provash disponon.

“Nëse Gjykata konstaton se prokurori është duke i neglizhuar me qëllim detyrimet dhe obligimet e tij, kjo do të shkonte në favor të zotit Thaçi që të lirohej me kusht. Dhe, po ashtu, Gjykata do ta mbante përgjegjës prokurorin për çdo vonesë të mëtejshme”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.

Ellis thotë se, sipas ligjeve ndërkombëtare, gjithkush gëzon të drejtën që të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe se çdo vonesë e Prokurorisë në procedim të rastit është po ashtu shqetësim për Gjykatën.

“Gjykata do të jetë shumë më shumë e shqetësuar nëse rasti zvarritet, zvarritet dhe zvarritet dhe, në të njëjtën kohë, zoti Hashim Thaçi mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë”, thotë Ellis.

Në konferencën e fundit statusore, që është zhvilluar më 29 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ka rishikuar me kujdes resurset njerëzore dhe se më 17 dhjetor do të dorëzojë dosjen paraprake.

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë për Radion Evropa e Lirë se janë duke bërë përpjekje që të kalojnë sa më parë në proces gjyqësor, por nuk jep ndonjë afat kohor.

“Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja [Zyra e Prokurorit të Specializuar] kërkon të kalojë në gjykim sa më shpejt që të jetë e mundur. Konferenca statusore e radhës është planifikuar për pasditen e 15 dhjetorit, 2021, dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po përgatit dokumentin e saj paraprak për 17 dhjetor, 2021”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së.

Konferenca e radhës për ecurinë e rastit të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është konfirmuar për datën 15 dhjetor.

Gjykata kundër lirimit, frikë nga ndikimi i të akuzuarve

Dhomat e Specializuara të Kosovës i frikësohen ndikimit që kanë të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe, për këtë arsye, nuk i miraton kërkesat e tyre për lirim me kusht, thotë Mark Ellis.

Përveç kompleksitetit të rastit, edhe funksionimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës është kompleks, thotë ai.

“Tani për tani, Gjykata është duke anuar kah riformimi i shqetësimit të saj se vendi më i mirë për zotin Thaçi është qendra e parandalimit e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që ai të mund të monitorohet; komunikimet e tij [po ashtu] mund të kufizohen, nëse është e nevojshme. Pra, Gjykata, siç duket, mendon se ky është vendi më i mirë ku mund të jetë zoti Thaçi”, shprehet Ellis.

Ellis thotë se që nga krijimi i Dhomave të Specializuara, më 2015, çështja e ndikimit dhe sigurisë së dëshmitarëve kanë qenë sfiduese.

“Unë mendoj se Gjykata është kujdesur në mënyrë të vazhdueshme që zoti Thaçi dhe të tjerët nuk mund t’i pengojnë procedurat përmes çfarëdo frikësimi të dëshmitarëve. Dhe, kjo kërkon që ata të monitorohen në qendrën e paraburgimit [të Dhomave të Specializuara]. Ky është dallimi i këtij rasti me rastet e tjera që ju mund të keni parë në tribunale ndërkombëtare”, thotë Ellis.

Ellis thotë se nuk është e përcaktuar se deri kur Dhomat e Specializuara mund të mbajnë në paraburgim ish-presidentin Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kraniqi dhe Rexhep Selimi mbesin në paraburgim në Hagë që nga arrestimi i tyre në nëntor të vitit 2020. Atyre u janë refuzuar kërkesat për lirim me kusht.

Më 30 nëntor, Dhomat e Specializuara kanë refuzuar garancitë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Në arsyetimin e Gjykatës është thënë, mes tjerash, se Thaçi ka ndikim dhe se lirimi i tij përbën rrezik për frikësimin e dëshmitarëve.

Pas vendimit të Dhomave të Specializuara, REL-i ka pyetur Policinë e Kosovës për garancitë e dhëna, si dhe për konstatimet e Gjykatës se ky institucion ka kapacitete të kufizuara për të garantuar lirimin me kusht të Thaçit, por në polici nuk kanë dashur t’i komentojnë këto çështje.

Njëjtë ka vepruar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Për vendimin e Gjykatës dhe mundësinë e dhënies së garancive të reja nuk është përgjigjur as Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Për çka akuzohen Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra të rënda penale, si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorisë i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për veprat penale që lidhen me krime lufte, si: ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje.

Sipas Dhomave të Specializuara, këto krime janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Prokuroria pretendon se këto krime të prezantuara në aktakuzë janë kryer në lokacione të ndryshme në Kosovë, si dhe në disa të tjera në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për çdo pikë të aktakuzës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar përmes një vendimi të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./REL