LAJMI I FUNDIT:

Gjurmë këmbësh 120 mijë vjeçare gjenden në Arabinë Saudite

Gjurmë këmbësh 120 mijë vjeçare gjenden në Arabinë Saudite

Qindra gjurmë këmbësh të fosilizuara që thuhet se janë të vjetra 120 mijë vjet janë zbuluar në Arabinë Saudite dhe ato mund të dëshmojnë lëvizje njerëzore në rajon, sipas një studimi të ri në Science Advances.

Studiuesit zbuluan qindra gjurmë këmbësh të fosilizuara, të cilat ishin të ekspozuara nga erozioni i sedimenteve, gjatë një hulumtimi të një liqeni antik në shkretëtirën Nefud të Arabisë Saudite, raporton CNN.


Midis 376 formave antike të zbuluara rreth liqenit Alathar, ekspertët identifikuan gjurmët e kafshëve, duke përfshirë printime që u përkisnin kuajve, deveve dhe elefantëve, transmeton Telegrafi.

Por, çuditërisht, studiuesit thanë se kanë zbuluar shtatë gjurmë këmbësh njerëzish, të cilat, nëse konfirmohen, mund të jenë provat më të hershme të specieve njerëzore në Gadishullin Arabik.

Studiuesit besojnë se gjurmët e këmbëve janë të periudhës së fundit ndër-akullnajore. Të dhënat arkeologjike tregojnë se këto kushte ndihmuan migrimin e njerëzve nga Afrika në Levant.

Pasi studiuan gjurmët e këmbëve, ekspertët besojnë se përqendrimi i dendur i gjurmëve sugjeron se kafshët ishin mbledhur rreth liqenit, si rezultat i kushteve të thata dhe ujit të pakësuar, ndërsa njerëzit mund ta kishin përdorur zonën për ujë dhe për të kërkuar ushqime. /Telegrafi/