Gjesti ngre zërin për Zvërnecin: Uroj që çdo vendim të merret me përgjegjësi, me dëgjimin e qytetarëve dhe me respekt për natyrën

Këngëtari i njohur nga Peja, Gjesti, është bërë pjesë e zërave publikë që kanë reaguar për zhvillimet e fundit në Zvërnec, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si po trajtohet një zonë që konsiderohet e ndjeshme për natyrën dhe trashëgiminë.
Përmes një postimi në InstaStory, ai shkruan se nuk mund të qëndrojë indiferent “kur natyra, historia dhe identiteti vihen përballë interesave ekonomike”.
Sipas Gjestit, zhvillimi mund të jetë i domosdoshëm, por thekson se ai duhet të bëhet me transparencë, me konsultim dhe mbi të gjitha me respekt për trashëgiminë që nuk zëvendësohet.

Në reagimin e tij, këngëtari bën thirrje që çdo vendim që lidhet me Zvërnecin të merret “me përgjegjësi, me dëgjimin e qytetarëve dhe me respekt për natyrën”.
Fituesi i Big Brother VIP Albania 4 ka lënë të kuptohet se zëri i komunitetit dhe ruajtja e vlerave të zonës duhet të jenë prioritet.
Postimi i Gjestit vjen në një kohë kur çështja e Zvërnecit ka nxitur diskutime të shumta në rrjete sociale dhe në opinionin publik, ndërsa reagimi i tij u shpërnda dhe u komentua nga ndjekësit si një mesazh në mbrojtje të natyrës dhe identitetit të kësaj zone. /Telegrafi/




















































