The Hollies i japin fund karrierës pas 63 vitesh, dalin në pension dy anëtarët e fundit të formacionit klasik

Grupi britanik i rokut The Hollies ka mbyllur zyrtarisht karrierën e tij pas më shumë se gjashtë dekadash, pasi dy anëtarët e fundit të formacionit klasik, kitaristi Tony Hicks dhe bateristi Bobby Elliott, kanë vendosur të tërhiqen nga turnetë.
Vendimi erdhi pasi Hicks, 80 vjeç, u detyrua të largohej për shkak të problemeve shëndetësore. Në shenjë respekti për kolegun dhe historinë e tyre të përbashkët, Elliott, 84 vjeç, vendosi gjithashtu të pensionohet.
Të dy iu bashkuan The Hollies në vitin 1963, menjëherë pas themelimit të grupit, dhe qëndruan për 63 vite pjesë e tij, shkruan Variety.
Në një njoftim në rrjetet sociale, grupi bëri të ditur se karriera e tyre në turne do të mbyllet me mirënjohje për fansat që i kanë mbështetur në mbarë botën.
Hicks dhe Elliott u përfshinë në Sallën e Famës së Rock and Roll-it në vitin 2010, së bashku me Allan Clarke, Graham Nash, Terry Sylvester, Eric Haydock dhe Bernie Calvert.
The Hollies u shndërruan në një nga grupet e njohura të valës së “Pushtimit Britanik”, duke shënuar një seri hitesh ndër vite.
Në SHBA, “Bus Stop” arriti në vendin e pestë në vitin 1966, ndërsa sukseset e tjera përfshinë “Stop Stop Stop”, “Carrie Anne”, “He Ain’t Heavy, He’s My Brother”, “Long Cool Woman in a Black Dress” dhe “The Air That I Breathe”.
Në Britani, grupi pati gjithashtu hite të rëndësishme, mes tyre “I’m Alive”, që arriti në vendin e parë në vitin 1965.
Tony Hicks nuk ishte një nga vokalistët kryesorë të grupit, por kontribuoi në këngë si “Look Through Any Window” dhe “Carrie Anne”, ndërsa ishte edhe një nga kompozitorët kryesorë të grupit.
Pas ndryshimeve të shumta në formacion ndër vite, versioni i konsoliduar në vitin 2004 vazhdoi të performonte me Hicks dhe Elliott, së bashku me Peter Howarth, Steve Lauri, Ray Stiles dhe Ian Parker.
Megjithëse The Hollies nuk do të vazhdojnë më si grup në turne, muzika e tyre do të vazhdojë të interpretohet.
Terry Sylvester, ish-anëtari që zëvendësoi Graham Nash, vijon të performojë në turne me këngët e grupit, ndërsa edhe Nash ka të planifikuara koncerte gjatë vjeshtës, ku në repertor përfshihet “Bus Stop”. /Telegrafi/















































