Gent Kryeziu ka njoftuar për ndarjen nga jeta të babait të tij, Eqrem Kryeziut, ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe një prej figurave të njohura të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Genti Kryeziu ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të mbahet sot në varrezat e reja të qytetit, në Landovicë.


“Të nderuar miq, me pikëllim Ju njoftoj se sot ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, bashkëshorti, gjyshi, babai, Eqrem Kryeziu”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar gjithashtu se para ceremonisë së varrimit do të mbahet një mbledhje komemorative në nderim të të ndjerit.

“Paraprakisht, nën patronatin e Komunës së Prizrenit në ora 14:30 do të mbahet një mbledhje komemorative për nder të të ndjerit në Shtëpinë e Kulturës ‘Xhemajli Berisha’ në Prizren”, ka bërë të ditur Kryeziu.

Eqrem Kryeziu ka qenë kryetar i Komunës së Prizrenit, kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, nënkryetar i LDK-së në nivel qendror dhe deputet i Kuvendit të Kosovës në disa mandate. /Telegrafi/