LAJMI I FUNDIT:

Gjermania dhe Japonia, në favor të tregut të lirë

Gjermania dhe Japonia, në favor të tregut të lirë

Liderët e Gjermanisë dhe Japonisë janë shprehur fuqishëm në favor të tregut të lirë, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara e kanë detyruar grupin e 20 vendeve kryesore ekonomike (G20), që ta tërheqin përkushtimin për kundërshtim të protekcionizmit.

Mbrëmë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, kanë bërë thirrje për marrëveshje për tregti të lirë ndërmjet Japonisë dhe Bashkimit Evropian.


“Ne dëshirojmë tregje të hapura dhe të lira”, tha Angela Merkel mbrëmë në Hanover, në hapje të panairit të kompjuterëve, që sponsorizohet së bashku nga qyteti Hanover dhe Japonia.

Kryeministri Abe, i cili ishte në Hanover në kuadër të turneut të tij evropian, tha se Japonia “dëshiron të jetë kampion në mbajtjen e sistemeve të hapura së bashku me Gjermaninë”.

“Në kohën kur ne po argumentojmë shumë për tregti të hapur, kufij të hapur dhe vlera demokratike, është shenjë e mirë se Japonia dhe Gjermania, nuk kanë mospajtime”, tha Angela Merkel.

Në këtë kuadër, Merkel nuk e ka përmendur direkt presidentin amerikan, Donald Trump, i cili i ka vazhduar komentet “Amerika së Pari”, që i ka përdorë gjatë fushatës së tij zgjedhore dhe i ka sulmuar disa marrëveshje tregtare globale, të cilat i kishte nënshkruar administrata e ish-presidentit, Barack Obama. /Telegrafi/