LAJMI I FUNDIT:

Gërxhaliu: Zhvillimi ekonomik i Kosovës në këtë fazë është më se i nevojshëm

Gërxhaliu: Zhvillimi ekonomik i Kosovës në këtë fazë është më se i nevojshëm

Njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se zhvillimi ekonomik i Kosovës në këtë fazë është më se i nevojshëm, por se në këtë kohë institucionet e Kosovës më shumë kanë qenë të fokusuar në agjendën politike sesa ekonomike.

Sipas tij, duhet të mos humbet më shumë kohë, por të bëhen veprime dhe të mos mbetemi mbrapa karshi shteteve të rajonit, disa prej të cilave janë shumë përpara neve në rrugën e reformave, qoftë politike apo ekonomike.


“Në radhë të parë duhet të kuptohet se Kosova ka nevojë të integrohet në familjen evropiane dhe jo Evropa të integrohet në Kosovë, e them këtë bazuar në diskursin politik të kohëve të fundit në Kosovë, ku për çdo gjë fajësohen të tjerët. Përshpejtimi i proceseve evropiane varet nga vet ne kosovarët, e në veçanti nga politikbërësit. Sa më shpejt që kuptohet rëndësia e integrimeve evropiane, procesi do të përshpejtohet”, tha Gërxhaliu për RTK.

Ai vlerësoi se deklaratat se i kemi përmbushur të gjitha kriteret duhet të bazohen në faktet.

“Sundimi i rendit dhe i ligjit është njëri nder kriteret kryesore për të ecur përpara”, vlerësoi ai.

Për Samitin e Berlinit, e në të cilën morën pjesë edhe liderët e Kosovës, Gërxhaliu i cili është pjesë e një mekanizmi i të tij, vlerësoi se liderët e Kosovës nuk kanë qenë të koordinuar mirë dhe për këtë kanë pësuar një grusht të fort.

“Mos koordinimi i tyre ka sjellë një grusht të fortë, ndaj Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Për proceset ekonomike të Kosovës, ai tha se nga procesi i Berlinit, kanë përftuar shumë që kalon shumën e 700 milionë eurosh.

“Kosova nga ky proces ka fituar projektin e Hekurudhës, është një arritje. Nga vendet e Ballkanit më së shumti ka përfituar Maqedonia Veriore. Por një gjë duhet të kuptohet se duhet të ketë rend dhe sundim të ligjit për të ecur përpara”, tha ai. /Telegrafi/