Ushtritë e tri grupeve në Siri po shtyhen se kush do të zë sipërfaqe më të madhe të grupit xhihadist të Shtetit Islamik (IS), që të kenë pastaj hapësirë për jetesë dhe kontroll në rast të futjes së sistemit federal.

"Tri grupet (regjimi, kurdët dhe kryengritësit) janë duke luftuar për një pjesë të madhe të tortës - jo vetëm në llogari të ISIS-it, po edhe në kurriz të protagonistëve të tjerë", ka thënë Thomas Pierret, ekspert për Sirinë e shkretuar që pesë vite nga lufta e tmerrshme.


Në krahinën qendrore të Homsit janë forcat e regjimi të Bashar al-Assadit, të cilët me ndihmën e Rusisë e larguan ISIS-in nga qyteti antik i Palmirës dhe nga Al-Qaryatayni.

Në provincën e Aleppos, në veri, janë kryengritësit dhe grupet islamike që me ndihmën e Turqisë dhe forcave ajrore amerikane kanë marrë një duzinë fshatrash nga ISIS-i, mes të cilave al-Rai të cilën grupet xhihadiste e kanë përdorur si pikë kryesore të futjes në Turqi, transmeton Telegrafi.

Në jug janë xhihadistët nga al-Nusra (dega siriane e al-Qaedas), që së bashku me salafistit e grupit Ahrar ash-Sham dhe rebelët tjerë kanë marrë tri vendbanime.

Dhe, në verilindje është aleanca arabo-kurde e Forcave Demokratike të Sirisë (FDS) që po përparon në krahinën e pasur me naftë, Deir Ez-zor, të cilën e synon edhe regjimi.

"Torta është e madhe për të gjithë. Fazat e ardhshme do të jenë të vështira: në lindje të Aleppos janë zonat që u interesojnë edhe forcave të regjimit e edhe kurdëve”, thotë ligjëruesi në Universitetin e Edinburgut.

Por, pasi një pjesë e territorit në duart e ISIS-it është shumë tërheqëse - grupi kontrollon rreth 40 për qind të territorit me naftë, gaz, pambuk dhe bujqësi - është e mundur që regjimi dhe kryengritësit të futen në luftë për këto, transmeton Telegrafi.

"Nëse të gjithë armiqtë e ISIS-it lidhen nën kontrollin ruso-amerikan, çlirimi i territoreve në ISIS-in do ta shpiente këtë organizatë në ilegalitet”, shton Pierret.

Regjimi dhe opozita tani kundërshtojnë federalizëm dhe nuk e njohin krahinën federale kurde të deklaruar në mars në veri të vendit. Por, sponsorët e tyre, Washingtoni dhe Moska, që janë nismëtarët e armëpushimit mes regjimit dhe kryengritësve në fund të shkurtit, nuk e kundërshtojnë këtë federalizëm, thekson Fabrice Balache, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Washingtonit ".

"Duket se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë pranuar federalizmin në Siri. Kjo do të dobësonte Assadin dhe do të sigurohen zonat e ndikimit”, vlerëson ai. /Telegrafi/