Islami: Deklaratat nga Beogradi tregojnë se synimet ndaj Kosovës vazhdojnë


Njohësi i fushës së sigurisë, Avi Islami, ka vlerësuar se deklaratat e fundit nga zyrtarë dhe figura politike në Serbi tregojnë se qëndrimi i Beogradit ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.
Islami kujtoi deklarimet e mëhershme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për pritjen e "rrethanave të favorshme" për ndërhyrje në Kosovë, duke shtuar se edhe politikanë si Vojislav Sheshel vazhdojnë me retorikë të ashpër dhe kërcënuese ndaj shqiptarëve.
Sipas Islamit, pavarësisht dallimeve politike në Serbi, ekziston një qasje e përbashkët ndaj çështjes së Kosovës.
Ai theksoi se Kosova duhet të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke shtuar se ruajtja e një balance ushtarake është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Prandaj, ne duhet të forcohemi maksimalisht në fushën e sigurisë, duke fuqizuar Policinë, AKI-në dhe Ushtrinë e vendit tonë. Nuk thuhet rastësisht se balanca e forcave ushtarake prodhon paqe dhe siguri”, shkruan ai.






































