LAJMI I FUNDIT:

Galeni dhe Avicena

Galeni dhe Avicena
Hippocrates, Galen, Avicenna, Ancient Physicians

Nga: Daut Dauti

Asnjë profesion nuk është më i dashur, më i vështirë dhe më i rëndësishëm se ai i mjekut. Është kështu për shkak se për njeriun asgjë nuk ka më të rëndësishme se shëndeti. Vlerën e mjekut më së miri e dini kur sëmureni dhe për shërim vareni nga ai. Sot, falë zhvillimit të teknologjisë, kujdesi shëndetësor është avancuar dhe shumica e operacioneve janë bërë punë e lehtë. Megjithatë, universitetet e njohura rëndësi më të madhe i kushtojnë studimeve të kësaj fushe dhe këto fakultete ende mbeten më të vështirat.


Mjekësia ka zhvillimi interesant historik. Nga historia dihet se babai i mjekësisë është Hipokrati, i cili ka jetuar para 2400 viteve. Por, në zhvillimin e mjekësisë janë dy mjekë tjerë që janë më të rëndësishëm. I pari është Galeni i Pergamonit (129 – 216 e.s.). Galeni, i cili e mori mbiemrin Pergamon sipas qytetit ku kishte lindur, që sot gjendet në Turqi (Izmiri), ka qenë edhe filozof dhe ka shkruar mbi 70 libra, kryesisht për mjekësi.

Galeni mësimet e para i mori në vendlindje dhe në qytetet tjera greke, por i finalizoi në shkollën e njohur të mjekësisë në Aleksandri. Pastaj, u kthye në vendlindje dhe u punësua në shkollën e gladiatorëve ku pati rast të ushtronte operacionet pasi që plagët, sikur edhe vdekjet e gladiatorëve ishin të përditshme. Pastaj, u bë edhe më i famshëm kur perandori dhe filozofi romak, Mark Aureli, e mori për mjek personal. Duke e shoqëruar Aurelin edhe në luftëra, Galeni e përsosi profesionin edhe më tej. Zbulimet e tija në fushën e anatomisë, që kanë të bëjne me sëmundjet dhe shërimet, janë të mëdha.

Me rënien e Perandorisë Romake dhe poliseve greke, kjo kulturë, së bashku me mjekësinë, ra përtokë dhe Galeni, mjeku më i famshëm i antikës, pothuajse u harrua. Por, ai u ‘ringjall’ pas tetë shekujve, kur në skenën e mjekësisë erdhi Ibn Sina (980 – 1037), i cili në Evropë u popullarizua me emrin Avicenna. Në këtë kohë arabët i kishin përkthyer edhe librat e Galenit, sikur shumë vepra tjera të mendimtarëve antikë. Avicenna, i cili kishte filluar të interesohej për mjekësi qysh në moshën e fëmijërisë, i lexoi këto libra dhe e vazhdoi mjekësinë nga aty ku e kishte lënë Galeni. Madje, Avicenna e pasuroi këtë shkencë dhe profesion me zbulimet e tija.

Si rrjedhim, Avicenna jo vetëm që u bë mjek i famshëm, por edhe shkencëtar pasi që vazhdoi të shkruante libra për mjekësi e filozofi, sikur Galeni. Libri më i famshëm i Avecennës u bë ‘Kanun-i dâr Tâb’ (Ligjet e Mjekësisë), që u botua në vitin 1025 dhe pas një shekulli u përthye në latinisht me titull ‘Canon Medicinae’. Ky libër voluminoz ka qenë tekst kryesor në studimet e kësaj fushe edhe në Evropë deri në fillim të shek. XIX. Madje, është i përkthyer edhe në disa gjuhë tjera, përfshirë anglishten, dhe ribotohet shpesh pasi që ende ka kërkesa për lexim. Është vështirë të besohet se ndonjë libër tjetër shkencor i ka qëndruar kohës kaq gjatë. Ky libër nuk ishte i rëndësishëm vetëm për shkak të zbulimeve të Avicennës, por njëkohësisht është edhe histori e mjekësisë krahasuese pasi që aty gjendet e shqyrtuar, apo e analizuar edhe puna e Galenit dhe mjekëve tjerë të epokës antike.

Që të dy, Galeni dhe Avicenna, pos që ishin mjekë dhe filozofë, janë marrë edhe me politikë ku krijonin armiq. Megjithatë, është vështirë të imagjinohet zhvillmi i mjekësisë pa këta dy. /Telegrafi/