Gjatë fundjavës që lamë pas, u zhvillua në Venecia takimi mes ministrave të Financës dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të G20-ës. Ky takim mund të konsiderohet me të drejtë jo si një takim rutinë, por si shumë i rëndësishëm. Kjo sepse jo vetëm që kemi të bëjmë me takimin e parë që zhvillohet fizikisht që prej fillimit të pandemisë, por edhe sepse temat e diskutuara gjatë takimeve dyditore ishin të një rëndësie të veçantë, për situatën pandemike që bota po kalon dhe për atë të përballjes me krizën ekonomike globale. Prandaj, edhe ne këtë samit, vëmendja kryesore gjatë bisedimeve iu kushtua rritjes ekonomike në periudhën post- pandemi si dhe rimëkëmbjes ekonomike të pabarabartë që vihet re ndërmjet vendeve perëndimore, të cilat duket se do të rimëkëmben ekonomikisht më shpejt se pjesa tjetër e botës.

Ky fakt pritet të rrezikojë e të rrisë akoma më shumë hendekun ndërmjet vendeve të pasura dhe atyre të varfra. Por, tema kryesore e bisedimeve (ashtu siç ishte parashikuar dhe pritej) ishte çështja e reformës së taksimit global të kompanive. Një çështje kjo, që ka disa vite që është në agjendën e vendeve të G7-ës dhe G20-ës dhe OECD-së. Pa dyshim që sot në situatën ku gjendet ekonomia botërore si pasojë e ndryshimeve radikale që kanë ardhur si rezultat i zhvillimit teknologjik, ndryshimeve klimaterike dhe globalizimit, por sigurisht edhe nga situata e rëndë e krijuar nga kriza aktuale e pandemisë, është bërë më aktuale dhe e domosdoshme se kurrë.

Vendet më të zhvilluara të globit dhe ato të BE-së, gjatë kësaj periudhe kanë konsideruar dhe po konsiderojnë me kujdes mendimet dhe propozimet e OECD-se në përgjithësi për zhvillimin e tezave të reja në mendimin ekonomik për përballjen me zhvillimet ekonomike e financiare që pas krizës së viteve 2008-2012, por edhe veçanërisht pas krizës aktuale. E veçantë është vëmendja që po i kushtohet propozimit të kahershëm të një reforme tatimore globale.

Gjatë këtyre dy ditëve të takimeve intensive, ministrat e Financës së vendeve të G20-ës vendosën në shina diskutimet në lidhje me mënyrën se si do të implementohen në praktikë propozimet e OECD-së me qëllim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjatë Samitit të G20-ës në Romë, gjatë muajit tetor të këtij viti. Kuptohet që një arritje e tillë do të jetë e përmasave historike, duke marrë parasysh faktin që një reformë e kësaj natyre ka vite që po negociohet dhe zbatimi i saj do kërkojë jo vetëm vullnet politik, por dhe tejkalim të burokracive kombëtare. E megjithatë, më optimistët mendojnë se (nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve) rregullat e reja fiskale do të jenë të detyrueshme në nivel global përpara fundit të vitit 2023.

Krizat globale i kanë dhënë gjithnjë shtysa të reja zhvillimit të mendimit ekonomik për përballjen efikase të situatave ekonomike, financiare dhe sociale të krijuara. Kështu po ndodh edhe në situatën aktuale. Mendime për reforma të reja ekonomike, të taksave dhe politikave të reja ekonomike e financiare po dalin në dritë e po marrin jetë. Në fillim të këtij muaji, më shumë se 130 vende dhe entitete nënshkruan një deklaratë të përbashkët (në kuadrin e OECD-së), e cila përmbante një plan të bazuar në dy shtylla, nëpërmjet të cilit synohet që të reformohen rregullat e taksimit ndërkombëtar dhe që kompanitë e mëdha shumëkombëshe të paguajnë një taksë të ndershme në vendet ku ato operojnë.

Ky plan vendos një kornizë të re rregullatore për taksimin ndërkombëtar duke përditësuar komponentët tradicionalë të taksimit të deritanishëm ndërkombëtar me ndryshime radikale, epokale që ka pësuar e po pëson sistemi ekonomik ndërkombëtar, i cili tashmë po operon në një realitet të ri të globalizuar, me ndryshime të shpejta teknologjike, të dixhitalizuar, në kushtet e përshtatjes me zhvillimet e ekonomisë se gjelbër, ekonomisë blu, për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm dhe duke ngushtuar diferencat sociale, përmes përdorimit më efikas të politikave dhe të shpërndarjes dhe rishpërndarjes me të drejtë dhe më të ndershme të të ardhurave.

Nëpërmjet shtyllës së parë të këtij plani sigurohet një shpërndarje më e ndershme e fitimeve dhe e të drejtave të taksimit ndërmjet vendeve. Do të mundësohet një rialokim i disa të drejtave të taksimit ndaj kompanive të mëdha shumëkombëshe nga vendet e origjinës drejt tregjeve ku këto kompani zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe realizojnë fitimet e tyre, pavarësisht nëse këto kompani kanë prezencë fizike në këto vende. Nëpërmjet shtyllës së dytë synohet të vendoset një shkallë minimale globale e taksimit të korporatave, e cila do t’u mundësojë vendeve të mbrojnë bazat e tyre të taksave.

Ky plan do t’u sigurojë qeverive mbështetjen e nevojshme për të mbledhur të ardhura për të ekuilibruar buxhetet e tyre si dhe të vazhdojnë të investojnë në shërbime thelbësore publike, infrastrukturë dhe masat e nevojshme për të siguruar rimëkëmbjen ekonomike post-Covid. Pritet që nëpërmjet shtyllës së parë të kësaj reforme të sigurohen më shumë se 100 miliardë dollarë çdo vit. Shkalla prej 15% e taksës ndërkombëtare të korporat- ave e parashikuar në shtyllën e dytë pritet të gjenerojë rreth 150 miliardë dollarë çdo vit. Gjithashtu, akoma më shumë të ardhura do të gjenerohen nga stabilizimi i sistemit ndërkombëtar të taksimit si dhe sigurisë së shtuar për taksapaguesit. Duket se Aleanca Ndërkombëtare Antikrizë po vepron.

Në deklaratën finale që u publikua në përfundim të samitit dyditor, ministrat e Financave të vendeve të G20-ës mbështetën fuqimisht planin e OECD-së në lidhje me arkitekturën e re të taksimit ndërkombëtar. Nëpërmjet deklaratës përfundimtare i kërkohet OECD-së që të finalizojnë hollësitë e mbetura në kornizën e dakordësuar si dhe një plan të detajuar për implementimin e të dyja shtyllave të planit në mënyrë që në takimin e G20-ës në tetorin e ardhshëm marrëveshja të nënshkruhet.

Në deklaratën përfundimtare, ministrat e Financave u ndalën edhe në rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve për t’u përballur me sfidat e së ardhmes, duke përfshirë pandemitë, katastrofat natyrore dhe rreziqet që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike. U vendos theksi te rëndësia e një vlerësimi më gjithëpërfshirës i rreziqeve makroekonomike mjedisore dhe klimatike, gjë që mund të mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve inovative për t’i bërë ekonomitë e vendeve të G20-ës më të qëndrueshme, elastike dhe gjithëpërfshirëse.

Në lidhje me ndryshimet klimaterike, në deklaratë u theksua rëndësia e koordinimit më të afërt ndërkombëtar për veprimet klimatike, gjë që mund të mund të ndihmojë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Kjo mund të kontribuojë në zhvillimin e një diskutimi më produktiv mbi gjetjen e politikave të duhura për të krijuar një tranzicion më të drejtë dhe më të rregullt drejt emetimit të gazrave me efekt të ulët serë, ekonomive më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare. Në lidhje me krizën e shkaktuar nga Covid-19, ministrat e Financave të vendeve të G20-ës mbeten të përkushtuar për të siguruar që sektori financiar të sigurojë mbështetjen e duhur për rimëkëmbjen ekonomike duke ruajtur stabilitetin financiar.

Në deklaratën përfundimtare theksohet se sistemi financiar global ka tejkaluar pandeminë e deritanishme falë një qëndrueshmërie më të madhe, mbështetur nga reformat rregullatore financiare të G20-ës dhe nga një përgjigje adekuate e autoriteteve publike ndërkombëtare. Ky samit i ministrave të vendeve të G20- ës do të konsiderohet historik sepse gjatë këtyre dy ditëve u vulos njëra prej reformave më të rëndësishme për sa i përket vendosjes së një arkitekture të re financiare dhe më të drejtë të taksimit ndërkombëtar. Mbetet akoma kohë deri një tetor kur pritet një marrëveshje përfundimtare nga liderët e G20-ës në Romë, kohë gjatë së cilës do të miratohen edhe ndryshimet e mbetura dhe gjithashtu do t’u jepet mundësia edhe vendeve që ende nuk kanë rënë dakord për taksën prej 15% ndaj Korporatave të mëdha shumëkombëshe. Momenti është me të vërtetë historik. Le të presim deri në tetor. Dhe të përgatitemi të reflektojmë edhe ne në situatat tona në reformat dhe politikat ekonomike, financiare e tatimore.