LAJMI I FUNDIT:

Futourismo shpall 7 idetë më të mira për të ndihmuar turizmin në Ballkanin Perëndimor

Futourismo shpall 7 idetë më të mira për të ndihmuar turizmin në Ballkanin Perëndimor

Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC) në kuadër të projektit “Futourismo” njofton se ka shpallur 7 idetë më të mira për të ndihmuar turizmin në Ballkanin Perëndimor.

Fituesit nga të gjashtë vendet e rajonit u zgjodhën për zgjidhjet e tyre inovatore dhe dixhitale të cilat synojnë zbutjen e ndikimit negativ të pandemisë COVID-19 në sektorin e turizmit.


“Ballkani Perëndimor është rajoni më i prekur në Evropë për sa i përket hyrjeve të huaja. Shumica e rezervimeve u anuluan, gjë që rrezikoi funksionimin normal të shumë agjencive. Vështirësitë u reflektuan në shkurtimin e numrit të stafit dhe ndryshimet në modelin e biznesit, pasi qarkullimi i vitit 2020 ishte në nivelin e 35 për qind. Në gjysmën e parë të vitit 2020 kishte 75 për qind rënie të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me 2019-në. Kjo është arsyeja pse e nisëm 2021-shin me Futourismo, si shpresë e re për të ndihmuar rajonin të rimëkëmbë turizmin. Shpresoj që këto projekte të vlerësuara sot të jenë hapi i duhur drejt kësaj rruge”, tha sekretarja e përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu.

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal hap konkursin rajonal 'Futourismo' për të nxitur turizmin në Ballkan
Lexo po ashtu Këshilli për Bashkëpunim Rajonal hap konkursin rajonal 'Futourismo' për të nxitur turizmin në Ballkan

Secili ekip fitues do të shpërblehet me 15 mijë euro për zhvillimin e mëtejshëm të idesë së tyre dixhitale.

Një thirrje e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm rajonal në sektorin e turizmit iu bë të gjithë atyre që gjendeshin në listën e ngushtë të Futourismo e që nuk arritën të fitonin.

Konkursi i Futourismo nisi në 3 shkurt 2021, me një thirrje të hapur për të gjithë duke përfshirë start-up, qendrat e inovacionit dixhital, grupet shkencore, universitetet, bizneset e vogla e të mesme dhe ekipet e të rinjve. /Telegrafi/