LAJMI I FUNDIT:

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal hap konkursin rajonal ‘Futourismo’ për të nxitur turizmin në Ballkan

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal hap konkursin rajonal ‘Futourismo’ për të nxitur turizmin në Ballkan

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Projekti për Turizmin i financuar nga Bashkimi Evropian po organizojnë konkursin e parë “Futourismo” të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar zgjidhje dixhitale inovative që do të ndihmojnë në zbutjen e ndikimit negativ të pandemisë së COVID-19 në sektorin e turizmit, të prekur rëndë.

Këto zgjidhje dixhitale do të kenë një efekt pozitiv në kuadër të ruajtjes së vendeve të punës, mirëfunksionimit të tyre dhe promovimit të rajonit si një destinacion turistik.


Gjashtë propozimet inovative me më shumë ndikim në këto aspekte do të shpërblehen nga 15 mijë euro secili.

“Futourismo” është një konkurs rajonal që fton të gjithë start up-et, organizatat, sipërmarrësit e interesuar të propozojnë dhe zhvillojnë zgjidhje dixhitale, teknologjike, inovative që do të kenë një efekt pozitiv në të ardhmen e turizmit në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

“Vitin e kaluar, duke bërë pjesën tonë në përshtatjen me situatën e pa ndeshur më parë me të cilën u përballëm, me pandeminë COVID-19, nisëm me ‘Balkathon’ – një konkurs për gjetjen e zgjidhjes më të mirë dixhitale në Ballkanin Perëndimor. I pari konkurs i këtij lloji në nivelin rajonal. Dhe ishte një sukses. Tani përsëri jemi pionierë me ‘Futourismo’, i cili po guxon edhe më shumë. Turizmi u godit rëndë, prandaj ky është kontributi ynë për t’i dhënë një dorë të rritet sërish. Me ide të reja, të freskëta, për ditët që na presin përpara”, tha sekretarja e përgjithshme e RCC-së,Majlinda Bregu.

Konkursi nis sot dhe do të përfundojë në një takim online, më 23 shkurt 2021. Çmimet do të shkojnë për zgjidhjet që kanë si përparësi kryesore bërjen e rajonin tonë të sigurt, mikpritës dhe më të qëndrueshëm për komunitetet lokale, por edhe për vizitorët.

Kur të vihen në zbatim, këto zgjidhje dixhitale do japin një kontribut të dukshëm, pozitiv, në krijimin e vendeve të punës, mirëfunksionimin dhe zgjerimin e çështjeve operacionale, promovimin dhe marketingun e destinacioneve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lehtësimin e transformimit digjital të sektorit të turizmit.

Bashkohuni në mbështetjen e zhvillimit të zgjidhjeve efektive dhe krijuese që do të ndihmojnë rajonin tonë të përshtatet shpejt, t’i përgjigjet krizës dhe të shërohet nga efektet e shkaktuara tashmë nga COVID-19.

Më shumë informacion në lidhje me “Futourismo” gjeni në rcc.int/futourismo. /Telegrafi/