LAJMI I FUNDIT:

Fuqia e fjalës

Fuqia e fjalës

Nga: Daut Dauti

Askush si Muhammad Ali nuk ka pasë fuqi t’i tërheqë mediat në anën e tij. Nëse edhe presidenti amerikan, së bashku me personalitete tjera botërore do të dilnin në një konferencë të përbashkët, dhe nëse anash do të lajmërohej Muhammad Ali, kamerat, fotoaparatet dhe diktafonët do të ktheheshin kah boksieri që i posedonte të gjitha karakteristikat e një fenomeni të rrallë. Ishte boksier i pashoq, tejet inteligjent, krijonte poezi humoristike të atypëratyshme dhe, mbi të gjitha, ishte i racës së zezë. Fliste aq bukur e me aq kuptim, duke përçuar edhe porosi politike.


Të folurit e tij ka qenë tejet i fuqishëm. Kur refuzoi të shkonte në Vietnam, një gazetar, duke dashur që ta ngushtonte, e pyeti: ”A e di ku është Vietnami?” Përgjigjja e bokserit ishte fenomenale: ”Po, e di. Është në televizor”. Më këtë Muhammad Ali paralajmëroi fuqinë e mediave audio-vizuele që po merrnin rol të rëndësishëm në shoqëri.

Por, ku e mësoi këtë të folur ky afro-amerikan që vinte nga shtresa e varfër dhe e shtypur?

E mësoi nga Malcolm X.

Filmi dokumentar “Blod Brothers: Malcolm X and Muhamed Ali” (Vëllezërit nga gjaku: Malcolm X dhe Muhamed Ali) që është punuar së voni nga Marcus A Clarke dhe që është duke u shfaqur këtyre ditëve në Netflix, e trajton temën e lidhjeve mes këtyre dy ikonave të shekullit XX. Duke i vënë në pah këto lidhje vëllazërore, autorët e filmit paraqesin edhe historinë e marrëdhënieve ndër-racore të një kohe në ShBA. Paraqitja e këtyre dy personaliteteve erdhi në kohën kur kishin filluar ndryshimet e mëdha në vend. Me daljen e tyre në skenë, gjërat do të ndryshonin më shpejt sesa ishte paramenduar.

Në vitin 1946, Malcolm X u dënua për një mori veprash penale dhe qëndroi gjashtë vjet në burg. Sa ishte në burg lexoi pa nda dhe ra në kontakt me pjesëtarët e ‘Nation of Islam’ (Kombi Islam). Aty pati kohë ta vlerësonte inteligjencën e tij dhe të mendonte për të ardhmen. Nga burgu doli person tjetër nga ai që kishte hyrë. Nuk vonoi dhe u bë njeriu numër dy në “Nation of Islam”, organizatë që rritej shpejt dhe të cilën e udhëhiqte Elijah Muhammad. Malcolm X së shpejti do të hynte në histori si ndër oratorët më të mirë të shekullit XX.

Në këtë kohë po popullarizohej edhe personazhi tjetër i këtij dokumentari, boksieri Cassius Clay, i cili më vonë e mori emrin Muhammad Ali. Kur në vitin 1960 Aliu u kthye nga Lojërat Olimpike që u mbajtën në Romë, në qafë e mbante medaljen e artë. Popullariteti i tij ndërkombëtar nisi në Romë. Në një foto nga olimpiada shihet se si një vajzë e bukur evropiane ia mbathte çorapet boksierit të popullarizuar. Në Romë e pa botën ku nuk kishte segregacion dhe kjo gjë atij i pëlqeu shumë

Por, në vendin e tij nuk kishte ndryshuar asgjë gjatë asaj kohe. Muhammad Ali, duke menduar se ishte mburrje për ShBA-në, nuk u lejua të hante në restorantet e qendrës së qytetit. Prandaj, u dëshpërua aq shumë saqë medaljen e artë olimpike e hodhi nga ura në lumë.

Në këtë kohë, Malcolm X e kontaktoi Muhammad Alinë. Qëllimi i tij ishte që ta fuste në radhët e “Nation of Islam”, pasi kjo do të sillte në organizatën e tyre një lumë anëtarësh të rinj nga komuniteti afro-amerikan. Dhe, kjo gjë ndodhi. Këto dy personalitet u afruan aq shumë saqë konsideroheshin si vëllezër. Me veprimet e tyre e ndryshuan mentalitetin e komunitetit afro-amerikanë. Ata ishin shembuj se raca e zezë nuk ishte inferiore. Vokabulari i Muhammad Alisë se “unë jam më i bukuri, më i forti, më i mençuri, më i shpejti, jam mbreti i botës …”, nuk ishte veç humoristik e veprim për ta demoralizuar kundërshtarin në ring , por ndikoi në zhvillimin e vetëbesimit të afro-amerikanëve. Më herët, asnjë afro-amerikan nuk kishte guxuar t’i thoshte këto fjalë. Veprimet e këtij boksieri, por edhe ato të Malcolm X-it, e ndryshuan mentalitetin e pjesëtarëve të racës së bardhë.

Në këtë dokumentar shohim se si Malcolm X, përmes Muhammad Alisë, nisi që problemin e racës së zezë në ShBA ta paraqiste në botë si çështje të përgjithshme dhe si shkelje themelore e të drejtës së njeriut. Prandaj, që të dy e vizitonin shpesh Evropën, sidomos Afrikën, ku priteshin si heronj. Afërsia miqësore ishte pothuaj e përsosur. Megjithatë, këtij shoqërimi i erdhi fundi kur Malcolm X po faktorizohej dhe po bëhej më i rëndësishmi në organizatën “Nation of Islam”. Prandaj, ra në konflikt me udhëheqësin Elijah Muhammad, i cili e përjashtoi nga radhët e organizatës. Malcolm X që herët e kishte hetuar se Muhammad Ali po bëhej vegël e manipulimit në duart e Elijahut. Si veprim të parë Malcolm X e kishte kundërshtuar ndërrimin e emrit nga Cassius Clay në Muhammad Ali. Mes tyre kishte edhe mospajtime tjera. Malcolm X nuk pajtohej me supremacinë segregacioniste që ndiqte kjo organizatë, me korrupsionin e liderit dhe disa gjëra tjera ideore. Prandaj, organizata e vrau më 1965.

Për çudi, Muhammad Ali me këtë rast mori anën e Elijah Muhammadit dhe nuk e dënoi vrasjen e shokut të tij më të afërt. Madje, në një rast kishte deklaruar: ”Flet shumë ai [Malcolm X]”.

Në këtë dokumentar shohim edhe disa detaje tjera, ndoshta për herë të parë, e që kanë të bëjnë jo vetëm me këto dy personalitete, por edhe me gjërat tjera të rëndësishme edhe për politikën e ShBA-ve.

Por, gjërat sërish ndryshuan dhe më 1975 kur Muhammad Ali u largua nga “Nation of Islam” sepse kjo organizatë, sipas tij, nuk ishte islamike siç duhej. Me këtë rast foli se kishte gabuar që nuk e kishte dënuar, madje edhe që e kishte përkrahur vrasjen e mikut të tij më të ngushtë. Prandaj, ishte penduar dhe i kishte ndihmuar familjes së Malcolm X-it pas vitit 1975. Po për këtë, në ceremoninë e varrimit të Muhammad Alisë fjalim mbajti edhe Ilyasah Shabazz, e bija e Malcolm X-it.

Sidoqoftë, ky dokumentar është i veçantë dhe flet për gjëra që nuk janë trajtuar më herët. Dokumentari është bazuar në të dhëna arkivore, por flasin edhe ekspertë të ndryshëm dhe njohësit e këtyre dy ikonave – përfshirë anëtarët e të dy familjeve. /Telegrafi/