Fundi i një epoke: Neymar tërhiqet nga Kombëtarja e Brazilit


Superylli brazilian Neymar ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme me Kombëtaren e Brazilit.
34-vjeçari e konfirmoi vendimin menjëherë pas humbjes 2-1 ndaj Norvegjisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës, një ndeshje që rezultoi të ishte e fundit e tij me fanellën e “Seleção”.
“U përpoqa. U përpoqa. Filloi këtu në stadiumin MetLife dhe përfundova këtu. Tani ka mbaruar”, deklaroi Neymar mes emocionesh pas përfundimit të takimit.
Edhe pse Brazili u eliminua, Neymar arriti të gjejë rrugën e golit në paraqitjen e tij të fundit, duke realizuar nga pika e bardhë në minutat e fundit të ndeshjes.

Sulmuesi largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Brazilit, me 80 gola në 129 paraqitje. Ai përfaqësoi vendin e tij në katër Kupa Botërore dhe në shumë turne të mëdha, duke u shndërruar në një nga figurat më ikonike të futbollit brazilian.
Trajneri Carlo Ancelotti e kishte rikthyer Neymarin në ekip për Kupën e tij të katërt të Botës, pas një mungese trevjeçare nga kombëtarja, duke i ofruar një mundësi të fundit për të fituar trofeun më të madh në futboll.

Megjithatë, ëndrra e tij për t'u shpallur kampion bote u shua pas dy golave të Erling Haaland, që i dhanë Norvegjisë një fitore historike.
Me largimin e Neymarit, Brazili i jep lamtumirën një prej lojtarëve më të mëdhenj të historisë së tij dhe mbyllet zyrtarisht një epokë e artë për “Seleçao”. /Telegrafi/












































