LAJMI I FUNDIT:

Frida Toçi dhe Ilir Baxhaku triumfojnë në Zambakun e Prizrenit

Frida Toçi dhe Ilir Baxhaku triumfojnë në Zambakun e Prizrenit

Çmimet e treta dhe të dyta juria e festivalit vendosi që këtë vit të ndahen mes dy kompozimeve.

Pas dy orësh maratonë muzikore, Festivalit Zambaku i Prizrenit, qe e transmetoi drejtpërdrejte edhe RTV21, i është dashur t’i vije fundi duke u shpallur më të mirët e festivalit me traditë në qytetin e bukur të Prizrenit.


Frida Toçi dhe Ilir Baxhaku me “Kënga e Zemrës” kanë triumfuar këtë natë duke marrë kësisoj çmimin e parë, Zambakun e Artë, dhe shumën prej 500 eurosh që ndahet nga Drejtori i këtij festivali.

Çmimet e treta dhe të dyta juria e festivalit vendosi që këtë vit të ndahen mes dy kompozimeve. Sami Piraj, pjesë e jurisë, përmendi Majlinda Cikaçin dhe Sahit Vatën me këngën “Sa të dua o Prizren” dhe “Sen Oldun” kënduar nga Olga Kazas, si dy këngët që janë shpërblyer me vendin e tretë.

Vendin e dytë në festival po ashtu e ndanë mes vete kompozimi “Malli im” i Isa Jakupit me solisten Ylberina Avdyli dhe po ashtu Olta Juba nga Shkodra “Me trile t`ëmbla ma morre zemrën”, shkruan KultPlus.

Cikaçi dhe Vata kanë marrë edhe çmimin e publikut – Zambakun e Argjendtë, me 60-të vota, çmim që atyre ua ndau Kryetari i Komunës së Prizrenit – Ramadan Muja.

Në spektaklin dy orësh pasi u performuan 14-të këngët e këtij viti dolën në skenë këngëtarë që sollën hite të vjetra të muzikës qytetare shqiptare.