LAJMI I FUNDIT:

Formacioni i xhiros së parë në Superligën e Kosovës

Formacioni i xhiros së parë në Superligën e Kosovës

Edicioni i ri 2021/22 në Superligën e Futbollit të Kosovës ka startuar fundjavën që lamë pas.

Ndeshje shumë të bukura janë parë në xhiron e parë, por nga pesë sosh sa u zhvilluan, vetëm në njërin takim pati fitues.


Drita ishte skuadra e vetme që mori tri pikët në xhiron e parë, ku mposhti Feronikelin me rikthim 2-1.

Ndeshja më interesante padyshim se u zhvillua në Therandë, ku Ballkani dhe Dukagjini i Klinës luajtën baras 2-2.

Malisheva ka debutuar në elitën e futbollit kosovar, ku në xhiron e parë arriti të marrë edhe pikën historike pasi barazoi 1-1 ndaj Prishtinës.

Edhe dy takimet tjera të zhvilluara ditën e shtunë, ajo mes Llapit dhe Ulpianës si dhe Drenicës e Gjilanit përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1.

Redaksia e sportit në Telegrafi do të vazhdoj traditën duke bërë zgjedhur formacionin më të mirë dhe trajnerin e javës në Superligë.

Portieri:

Këtë javë në pozitën e portierit në formacionin e javës futet Eglant Haxho pas paraqitjes fantastike ndaj Malishevës. Prishtina nuk ishte në ditën e saj më të mirë, derisa Haxho i shpëtoi në disa raste.

Mbrojtja:

Kësaj radhe vije me katër mbrojtës, ku Tomislav Sorsa i Gjilanit ishte mjaftë i mirë ndaj Drenicës dhe vendoset në krahun e djathtë.

Prince Balde po e zëvendëson në mënyrë të mrekullueshme Arago Jamalin te Drita dhe bëri ndeshje të madhe ndaj Feronikelit në qendër të mbrojtjes.

Në qendër vije edhe Dren Kryeziu i Malishevës, që pati një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Prishtinës.

E në krahun e majtë të mbrojtjes është Arbër Shala, që realizoi edhe një gol të bukur ndaj Ballkanit në barazimin që mori Dukagjini 2-2.

Mesfusha:

Argjent Mustafa e ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Ulpianës, gol që doli të jetë i rëndësishëm për t’ia siguruar një pikë skuadrës së tij. Së bashku me Mustafën në pozitën e mesfushorit qendror është edhe Mërgim Pefqeli që bëri ndeshje të madhe ndaj ish-skuadrës së tij.

Treshja ofensive nuk do shumë fjalë, pasi janë ndër më të mirët në ligë dhe bën ndeshje të jashtëzakonshme në fundjavë. Ermal Krasniqi ishte më i miri i ndeshjes Ballkani-Dukagjini ku realizoi dy gola fantastik për skuadrën suharekase.

Braziliani Denisson gjithashtu bëri një ndeshje të madhe ndaj Gjilanit dhe realizoi golin e Drenicës në barazimin 1-1.

Edhe pse nuk shënoi gol, Gerhard Progni ishte në nivel të detyrës ndaj Drenicës. Kapiteni i kuqebardhve ishte më aktivi në fushë, derisa falë përvojës së tij të madhe erdhi edhe goli i Gjilanit në fundin e ndeshjes.

Sulmi:

Nëse flasim për sulmuesin më të mirë të kësaj jave, padyshim që është Ardit Tahiri. Talenti i madh 18-vjeçar u fut në fushë nga banka dhe i shënoi dy gola ndaj Feronikelit për t’i dhënë tri pikët Dritës.

Tahiri edhe edicionin e kaluar tregoi se është një sulmues me të ardhme, derisa me fanellën e Dritës e konfirmoi në ndeshjen e parë se bëhet fjalë për një talent të jashtëzakonshëm.

Trajneri i javës: Armend Dallku

Pak kush e mendonte se Dukagjini do të arrijë të ndal Ballkanin në Suharekë, skuadër që shpesh herë i janë dorëzuar edhe skuadrat më të mëdha kosovare në atë stadium. Armend Dallku e përgatiti në mënyrë thuajse perfekte ekipin e tij dhe arriti që edhe me një lojtar më pak minutat e fundit t’i bëj ballë sulmit fantastik të vendasve.