LAJMI I FUNDIT:

Fluks i madh i qytetarëve në transportin publik drejt “Sunny Hill”

Fluks i madh i qytetarëve në transportin publik drejt “Sunny Hill”

Fluks i madh i qytetarëve është parë në autobusat e linjës 4, të cilët dërgojnë udhëtarët drejt parkut të Gërmisë, aty ku njëherësh pritet të mbahet festivali “Sunny Hill”.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka thënë se janë marrë masa shtesë për të menaxhuar situatën, derisa sipas tij do të huazohen autobusë të linjave tjera për t’u vënë në dispozicion të linjës numër 4.


“Policia janë në krejt qytetin, në Gërmi ka numra të shtuar të Policisë dhe kjo pjesë e qytetit është më e ngarkuara”, ka thënë Zogaj për Portalin Dukagjini, gjersa ka shtuar se në këtë festival pritet të jenë prezentë mbi 25 mijë persona.

Përveç pjesëtarëve të rendit, do të ketë edhe sigurim privat i cili do të jetë nën menagjimin e “Sunny Hill”.

Përveç kësaj, ai ka thënë se pritet që autobusat të merren nga linjat e tjera apo të vihen në shërbim për transportin e qytetarëve.

Ndër të tjera, nënkryetari Zogaj ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrur masat që pritet të realizohen pas përfundimit të festivalit, masa që përfshijnë mirëmbajtjen e parkut.

Bëhet e ditur se dy autoambulanca dhe ekipi mjekësor janë marrë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare që të jenë në shërbim të pjesëmarrësve të festivalit “Sunny Hill”.