Flick zbulon çfarë do të ndryshojë te Barcelona pas transferimit të Rodrit

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur kënaqësinë e madhe pas transferimit të Rodrit, duke e përshkruar mesfushorin si një përforcim që mund ta ndryshojë ndjeshëm skuadrën e tij.
Trajneri gjerman beson se reprezentuesi spanjoll sjell një kombinim unik të cilësive, të cilat do ta ngritin nivelin e të gjithë ekipit në prag të sezonit të ri.
Ish-mesfushori i Manchester Cityt tashmë e ka kompletuar transferimin te gjiganti katalanas, ndërsa Flick ka folur hapur për rëndësinë e këtij përforcimi.
Derisa shumëkush e vlerëson Rodrin për pasimet e tij dhe aftësinë për të thyer linjat kundërshtare, trajneri i Barcelonës ka vënë në pah edhe kontributin e tij në fazën defensive dhe karakteristikat fizike.
“Ai është një lojtar fantastik që sjell diçka të veçantë në çdo ekip dhe, për mua, është fantastike ta kemi këtu”.
“Mendoj se ai mund të jetë mesfushori më i mirë i pozicionit numër gjashtë. Ai mund ta kontrollojë lojën, por gjithashtu ndihmon edhe në mbrojtje”.

“Ai mund t’i fitojë duelet në ajër, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, dhe natyrisht e ngrit nivelin e çdo lojtari”.
Flick nuk ka humbur kohë për t’i vendosur pritshmëritë e larta Rodrit. Trajneri gjerman zbuloi gjithashtu se brenda klubit kishte unanimitet të plotë për transferimin e mesfushorit.
“Ishte një mundësi e madhe për ne që ta siguronim atë, kështu që të gjithë ishim 100 për qind të bindur, sepse ai është një lojtar fantastik”, deklaroi Flick./Telegrafi/












































