LAJMI I FUNDIT:

Fjalët e fundit të shqiptarëve të famshëm

Fjalët e fundit të shqiptarëve të famshëm
Ilustrim

Fjalët e fundit kanë rëndësi të madhe, sepse në një mënyrë zbërthejnë edhe karakterin e njeriut – të mirë, të keq apo të çuditshëm. Më poshtë janë fjalët e fundit që u janë përshkruar disa prej figurave të rëndësishme të historisë dhe letrave shqipe


Ali Pashë Tepelena (1741-1822)

Shkrimtari Alexander Dumas, kështu e ka përshkruar momentin e vdekjes dhe fjalët e fundit të pashait të fuqishëm. Teksa i dërguari i sulltanit i thotë Ali Pashës t’i nënshtrohej fatit, t’i lutej Zotit dhe profetit, Pashai i Janinës nuk e lë të mbarojë fjalën, por i thotë: “Koka ime nuk ulet si kokë skllavi”, dhe fillon e lufton. Pasi ishte dëmtuar nga plagë të shumta, duke e parë që fundin e kishte të afërt, Aliu i thotë një prej njerëzve të tij: “Vrap, shko miku im, thirre Vasiliqinë që të mos fëlliqet nga poshtërsitë e tyre”. Këto ishin fjalët e fundit të Ali Pashës. Më pas xhelatët i mbështetën kokën në një shkallare dhe e goditën dy herë me satër, duke ia ndarë nga trupi.

Sulejman Vokshi (1815-1890)

Komandanti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është një nga personalitetet e Rilindjes Kombëtare i cili shkriu jo vetëm jetën, por edhe pasurinë personale për çështjen kombëtare. Në procesverbalet e gjyqit të zhvilluar pas arrestimit të tij dhe të Abdyl Frashërit, gjyq i cili u zhvillua në Kalanë e Prizrenit, dallohet papërkulshmëria e tij ndaj çështjes kombëtare. Ndonëse e dinte se do të dënohej me vdekje, qëndroi dinjitoz përballë trupit gjykues i cili i dha verdiktet sipas porosive që erdhën nga Porta e Lartë. Në fjalët e tij të fundit, para trupit gjykues, Sulejman Vokshi deklaroi fjalët e fundit të tij: “Sikur tri jetë të kisha, të tria do t’i shkrija për lirinë e atdheut”!

Gjergj Fishta (1871-1940)

Gjeniu i letrave shqipe vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista “Mapo” botoi para disa vitesh detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemellit, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Faik Konica (1875-1942)

Është e shkruar nga studiuesi Nasho Jorgaqi, se një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Faik Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti. “Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër. Megjithatë historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik dhe nuk e bëri këtë. Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995 eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës.

Fan Noli (1882-1965)

Në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Afred de Vigny, dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora, dhe ai kishte nënvizuar këto vargje:

“Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi!
Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi
Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë
Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje, të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.

Bahri Omari (1888-1945)

Ish-ministri i Jashtëm i Qeverisë së Rexhep Mitrovicës në vitin 1943, dhe një nga intelektualët më të mëdhenj të Shqipërisë, mbajti një qëndrim prej heroi në momentin kur ishte para togës së pushkatimit. Kur të dënuarit nga Gjyqi Special u gjendën të rreshtuar me shpinë nga skuadra e pushkatimit, Bahri Omari u thirri me një ton urdhërues: “Ktheni fytyrën nga pushkët, se nga shpina vriten vetëm armiqtë. Ne s’jemi armiq, dhe këtë do ta vërtetojë historia”! “Këto ishin fjalët e fundit që tha Bahri Omari para vdekjes”, shkruante në kujtimet e tij ish-prokurori Bedri Spahiu, që merrte pjesë në ekzekutimin e ish-ministrit të Jashtëm.

Lasgush Poradeci (1899-1987)

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit 1944. I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me norm që po vdiste dalëngadalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, stërmundohej për gjëra nga më të voglat. Një jetë e vështirë që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”. Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël.

Petro Marko (1915-1991)

“Cila do të ishte fjala e fundit kur do të jepja shpirt? Tani mendoj si i gjallë dhe do të dëshiroja të isha i gjallë deri në çastin e fundit kur të thosha: Jetova kohën si një aktor që nuk e shprehu mirë pjesën e caktuar nga regjisori jetë…”, shkruan në një nga shënimet e tij të pabotuara më parë, gjeniu i Brezit të Humbur. Kjo është fjala e fundit që kishte dëshirë të thoshte ai. Një “Hasta la vista” vetëm prej Petro Markoje. E menduar deri në detaj dhe e trishtë, si subjektet e romaneve të tij. Apo ashtu si jeta e tij, që ishte e vetmja vepër e pashprehur mirë. Dhe kjo, jo për faj të tij. Një nga shkrimtarët më të vuajtur gjatë regjimit diktatorial, i mbylli sytë në dhjetor të vitit 1991, atëherë kur sapo po hapeshin perdet e një Shqipërie të lirë.

Dhimitër Shuteriqi (1915-2003)

Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë. Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”. Një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr. Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë. Për të gjitha këto, Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh.

Nëna Tereze (1910-1997)

Nënë Tereza është një prej njerëzve më të famshëm në botë, e njohur sidomos për bamirësinë e saj në Indi, ku kaluar më shumë se 45 vjet duke ndihmuar të varfrit e jetimit.
Fjalët e fundit të saj ishin: “Jezus të dua. Jezus të dua”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori