Fitore e madhe ndaj kundërshtarit direkt

Gjakovarët treguan dhëmbët atëherë kur iu deshtë më së shumti fitorja, pasi mposhtën një rival direkt në luftën për mbijetesë.
Trajneri Genc Hoxha e vlerëson lartë këtë fitore, duke lavdëruar edhe futbollistët e tij.
“Ishte një fitore shumë e vlefshme dhe e rëndësishme ndaj Trepçës. Kjo fitore ka ardhur në kohën e duhur dhe ndaj kundërshtarit të duhur. Kemi mposhtur një skuadër që e kemi pasur konkurrent dhe kjo është e mira”, tha Hoxha për Telegrafin.
“Jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të mijë. Ne kemi pasur shumë ndryshime në skuadër dhe tani kam ekipin më të ri në Superligë. Puna, disiplina dhe rregulli e bëjnë të vetën te Vëllaznimi. Shpresoj të vazhdojmë kështu”, deklaroi Hoxha, i cili tregon se klubi ende iu ka mbetur borxh shtabit teknik dhe futbollistëve.
“Që dy muaj nuk kemi marrë rroga. Ne po e kryejmë punën që na takon dhe tani i mbetet kryesisë që ta kryej punën e tyre. Dy rroga dhe premiot e vitit të kaluar si dhe parat e kontratë i ka borxh kryesia”, tha Hoxha i cili foli edhe për ndeshjen e ardhshme me Ferizajn.
“Edhe ndeshja ndaj Ferizajt është tejet e rëndësishme si kjo me Trepçën. Na pret një takim i vështirë por besoj se do t’ia dalim të marrim edhe një fitore të madhe”, u shpreh Hoxha. /Telegrafi/



















































