LAJMI I FUNDIT:

Finlanda në NATO, Stoltenberg: Putin nuk arriti ta mbyllë derën e NATO-s

Finlanda në NATO, Stoltenberg: Putin nuk arriti ta mbyllë derën e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mirëpritur Finlandën në aleancën ushtarake duke iu referuar luftës së Ukrainës ka thënë se “në momente si kjo, miqtë dhe aleatët janë më të rëndësishëm se kurrë”.

Duke folur në një konferencë shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinisto, ai pohoi se “Finlanda tani ka miqtë dhe aleatët më të fortë në botë. Presidenti Putin donte të mbyllte derën e NATO-s. Sot i treguam botës se ai dështoi – se agresioni dhe frikësimi nuk funksionojnë. Në vend të më pak NATO-s, ai ka arritur të kundërtën – më shumë NATO. Dhe dera jonë mbetet fort e hapur”.


Stoltenberg tha se flamuri finlandez do të “ngritët në selinë e NATO-s për herë të parë sot – 31 flamuj do të valëviten së bashku, një simbol i unitetit dhe solidaritetit tonë”.

Ai tha se anëtarësimi në aleancë është i mirë për Finlandën, i mirë për sigurinë nordike dhe i mirë në tërësi për NATO-n.

Stoltenberg tha se mezi po pret edhe anëtarësimin e Suedisë, e cila deri më tani është bllokuar nga shteti turk, raporton skynews.

Ai tha se Suedia kishte “përmbushur” angazhimet që kishte marrë dhe asgjë nuk duhet të pengojë ratifikimin e saj përfundimtar si një anëtare e NATO-s, duke e përshkruar atë si një “prioritet kryesor”. /Telegrafi/