Ferizaj shënon në minutën e 103-të dhe ia merr një pikë Gjilanit

Nuk pati gola në pjesën e parë ndërmjet Gjilanit dhe Ferizajt, por e dyta ishte zjarr në ndeshjen e zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan dhe e vlefshme për javën e 32-të të Superligës së Kosovës.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga një herë, në një duel dramatik që u vendos në sekondat e fundit.
Ferizaj fillimisht realizoi në mesin e pjesës së dytë me Betim Haxhimusën, por goli u anulua pas rishikimit me VAR.
Më pas, Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 82-të, kur Senad Jaroviq shënoi me kokë për 1-0, duke i dhënë avantazhin vendasve.
Në minutat e fundit, Ferizaj fitoi një penallti, por nuk arriti ta konkretizojë.
Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 103-të (minuta e 13-të shtesë), pas një aksioni me disa pasime, Claudi realizoi me kokë për 1-1, gol që i siguroi Ferizajt një pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë.
Gjilani ndërkohë humbi dy pikë të mëdha në luftën për pozitat që dërgojnë në garat evropiane. /Telegrafi/


















































