Thuni i Matoshit dhe Imerit, shpallet kampion i Zvicrës

Ndonëse të dielën nuk zbriti në fushë, Thuni e ka arritur suksesin më të madh deri më tani, ku ka siguruar titullin e parë të kampionit të Zvicrës në futboll. Kjo u konfirmua pas fitores 3-0 të Sionit ndaj St. Gallenit, rezultat që ia mbylli çdo rrugë rivalit të fundit.
Thuni kishte shpresuar ta festonte titullin që të shtunën mbrëma, por humbja 3-1 ndaj Baselit e shtyu festën për një ditë më vonë.
Për ta vulosur matematikisht kampionatin në xhiron e 35-të të Superligës zvicerane, ekipit i duhej që St. Galleni të mos fitonte ndaj Sionit – dhe kështu edhe ndodhi.
Tri xhiro para përfundimit të edicionit, Thuni kryeson me 74 pikë, 11 më shumë se St. Galleni i vendit të dytë.
Ky sukses vlerësohet si i jashtëzakonshëm për klubin e themeluar 127 vjet më parë, i cili vetëm sezonin e kaluar u rikthye në elitën e futbollit zviceran.
Thuni kishte qenë nënkampion në edicionin 2004/05, ndërsa në të kaluarën ka humbur edhe dy finale të Kupës. Në historinë e klubit, figurë e veçantë mbetet edhe sulmuesi shqiptar Milaim Rama.
Peshë të madhe në këtë titull kanë edhe dy futbollistë shqiptarë që janë pjesë e Thunit. Mesfushori 22-vjeçar Valmir Matoshi ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar katër asistime në 31 paraqitje kampionale.

Ndërkohë, Kastriot Imeri ka realizuar gjashtë gola dhe shtatë asistime në 28 ndeshje në kampionat. 25-vjeçari është i huazuar nga Young Boysi.
Në ndeshjen ku Sioni mposhti St. Gallenin 3-0, Benjamin Kololli shënoi golin e dytë në minutën e 43-të, pas asistimit të Rilind Nivokazit. Kololli më pas kontribuoi edhe me një asist për golin e tretë.
Te Sioni nga minuta e parë luajtën Kreshnik Hajrizi, Kololli dhe Nivokazi, ndërsa Donat Rrudhani u aktivizua në fund. Te St. Galleni, Betim Fazliji hyri në lojë në minutën e 78-të.

Ndërkohë, në humbjen 3-1 të Thunit ndaj Baselit të shtunën, Albian Ajeti shënoi për Baselin, ndërsa Matoshi realizoi golin e Thunit. Matoshi luajti në mesfushë përkrah Imerit – një dyshe që tashmë është shpallur kampione e Zvicrës. /Telegrafi/


















































